Maqedoni
Gjykimi i vrasjes në Gjorçe Petrov, video-incizimet nuk regjistrojnë momentin e vrasjes
16.03.2015 17:41
Në seancën gjykuese për vrasjen e maturantit maqedonas, Angel Petkovski, në lagjen Gjorçe Petrov, sot u shpalosën video-incizime nga kamerat e sigurisë në Spitalin Evropian të Syve...

Edhe përkundër paraqitjes së katër video-incizimeve, në asnjë moment nuk është regjistruar momenti i vrasjes.
Në gjykatë u konstatua se nga video-incizimet nuk mund të vërehet nëse ndonjëri nga pjesëmarrësit në akt me vete ka pasur armën me të cilën është kryer vrasja.
Avokati i të akuzuarit, Angel Georgiev, sqaroi se i ati i viktimës, Sasho Petkovski, pas kontaktit që kishin pasur me të akuzuarin, në veturë kishte lënë shkopin e drurit me të cilin kishte dhunuar të akuzuarin, Naser Eshtrefin, i cili, duke u rrokullisur, bie nga bregu dhe më pas largohet, gjë e cila është dëshmuar edhe përmes analizave të AND-së, tha ai.
“Lart nuk është regjistruar asgjë nga ngjarja, por në një moment shihet se si i akuzuari, duke u rrokullisur, në pozitë horizontale bie në pjesën e asfaltuar, ngrihet në këmbë dhe largohet me vrap nga vendi i ngjarjes, më pas shihet se si i ndjeri dhe i ati i tij vazhdojnë me vrap hynë në veturë, marrin fanellën mbi veturë, më pas drejtohen drejt spitalit, ku dhe tash i ndjeri vdes”- deklaroi avokati mbrojtës, Angel Georgiev.
E rëndësishme, sipas avokatit të palës së dëmtuar, Xvonko Davidoviq, është se pse akoma nuk mund të gjendet arma me të cilën është kryer vrasja.
“Nuk shihet nëse dikush mban diçka në dorë, por shihet se e gjithë ngjarja zgjatë rreth 30 sekondave, në vendin i cili nuk shihet”- tha avokat i palës së dëmtuar, Xvonko Davidoviq.
Avokati i Naser Eshtrefit, madje hedhë dyshime në video-incizimet, pasi që, sipas tij, aty vërehen disa shkëputje të dyshimta.
Georgiev, gjithashtu potencoi se kanë marrë përgjigje negative nga kërkesa e tyre për ekspertizë neuropsikiatrike për të akuzuarin me të cilin do të dëshmohet se vrasja ka ndodhur në vetëmbrojtje dhe në gjendje afekti.
Përgjigje pozitive kanë marrë nga mjekësia ligjore e cila ka të bëjë me dinamikën e ngjarjes në tërësi.
Vrasja e të riut maqedonas një vit më parë nxiti protesta të dhunshme në këtë lagje, ku u thyen dhe dogjën prona dhe lokale të shqiptarëve.
FLORIJE KAMBERI
