Maqedoni
Vaksinimi kundër HPV-së do të realizohet deri në moshën 19 vjeçare, vitin që vjen pritet vaksinimi i meshkujve
09.11.2023 16:06
Të gjitha vajzat që mbushin 19 vjet në fund të vitit kalendarik mund ta marrin vaksinën HPV në pikat e vaksinimit...

Të gjitha vajzat që mbushin 19 vjet në fund të vitit kalendarik mund ta marrin vaksinën HPV në pikat e vaksinimit. Ky vendim ka hyrë në fuqi në maj me ç’rast janë thyer stereotipet e prindërve se vaksinimi duhet bërë deri në moshën 15 vjet, bëjnë të ditur nga Fondacioni “Metamorfozis”. Pothuajse në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, të dyja gjinitë janë të vaksinuara dhe pritet që nga viti i ardhshëm të fillojë edhe vaksinimi i meshkujve.
“Pres që vitin e ardhshëm edhe te ne të fillojë vaksinimi i meshkujve. Sipas rregullores në fuqi, në vendin tonë deri më tani lejohet vetëm femrat të vaksinohen kundër HPV-së. Presim që vitin e ardhshëm të flasim për vaksinë nëntë valente, për vaksinim masovik te femrat dhe meshkujt.”, - theksoi koordinatorja nacionale e imunizimit, Aleksandra Grozdanova.
Kjo vaksinë përballet me shumë stereotipe që nuk janë të mbështetura shkencërisht. Njëra prej tyre është se ndikon në aftësinë riprodhuese të grave. Në të kundërtën reduktimi i aftësisë riprodhuese vërehet pikërisht në ato çifte, në të cilat infeksioni HPV ishte prezent për një kohë të gjatë.
“Po flasim për një sëmundje infektive, por që shpie në zhvillimin e kancerit. Ky fakt duhet t’u sqarohet prindërve kur ata marrin vendimin. Asnjë prind nuk duhet të përballet me pyetjen e fëmijës: Pse nuk më keni vaksinuar, që të më mbroni nga kjo sëmundje, kur ne kemi një vaksinë efektive, falas dhe jashtëzakonisht të sigurt. Prindërit kanë frikë nga ajo që nuk e dinë.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës së Patologjisë Cervikale, Goran Dimitrov.
Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, mbulimi total me dy doza të vaksinës kundër virusit HPV në vend është 52,5 për qind. Mbulim 100 për qind ka vetëm në gjashtë komuna si: Demir Hisar, Sveti Nikollë, Koçan, Dellçevë, Kratovë dhe Vallandovë.
FLUTURA LATIFI
