Maqedoni

Ekologji, IShM: Mbeturina të rrezikshme në Orman

09.11.2023 16:30

Në fshatin Orman të Shkupit janë hedhur mbeturina të rrezikshme për ambientin jetësor...

Në fshatin Orman të Shkupit janë hedhur mbeturina të rrezikshme për ambientin jetësor, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror për Mjedisin.  Nga këtu informuan se janë shqiptuar sanksione për katër persona juridikë dhe dy persona fizikë.
 
“Pas marrjes së njoftimit të autorizuar të një inspektori të mjedisit, më datë 24 tetor është kryer një inspektim i jashtëzakonshëm. Kemi konstatuar se në truallin e dy personave fizik është lënë sasi e caktuar e mbeturinave, e cila është me origjinë nga ricikluesi “Eko Start” - Shkup, me leje A-mjedisore, që gjendet në territorin e Komunës Çuçer Sandevë. Mbetjet janë nga bateritë me hekur.”, - deklaroi drejtori i Inspektoratit të Mjedisit Jetësor, Sreten Stojkovski. 
 
Inspektorati njoftoi se edhe pse ka një marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet riciklimit të “Eko Start” dhe pronarëve të parcelave që ndodhen në pronë private, mbetjet janë transportuar dhe depozituar në mënyrë jo të duhur në një lokacion që nuk është i destinuar për deponim.
 
“Për mbetje të tilla nuk është marrë leje nga Ministria e Mjedisit, e cila është e dënueshme në përputhje me legjislacionin. Në periudhën e ardhshme do të vijojnë aktet e mëtejshme në procedurën e inspektimit, pra vendime me urdhër për kthimin e sigurt të mbetjeve në rrethin e riciklimit “Eko Start” brenda 60 ditëve dhe ndalim të punës brenda 90 ditëve.”, - u shpreh drejtori i Inspektoratit të Mjedisit Jetësor, Sreten Stojkovski. 
 
Një inspektor nga Gjorçe Petrovi, muajin e kaluar ka konstatuar se në një parcelë private në fshatin Orman, për të cilën qytetarët thonë se ka gjashtë muaj që qëndron aty, janë gjetur 600 tonë mbeturina të rrezikshme nga bateritë.
 
BELINDA KOKA ADEMI