Kulturë
Teatër, “Mishi i egër” riktheu në skenë doajenin, Mjaku
09.11.2023 16:51
Me një histori të shkurtër të ngritjes dhe uljes së individit nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme, “Mishi i egër”...

Me një histori të shkurtër të ngritjes dhe uljes së individit nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme, “Mishi i egër”, shfaqja e cila riktheu doajenin e teatrit shqiptar, Bajrush Mjaku, për t’i dhënë jetë edhe personazhit të Dimitrija Andreeviq nën regji të Martin Koçovskit dhe tekst të Goran Stefanovskit, mbrëmë Teatri Shqiptar na dhuroi emocion dhe kureshtje për gjithë artdashësit e teatrit.
“Po mund të them që jashtëzakonisht shumë mirë u ndjeva meqë pata fatin të punoj përsëri pas 12 viteve, në fakt të rikthehem në skenën e Teatrit Shqiptar, aty ku kam lind dhe ku ajo skenë ka ditur të më mbajë gjatë gjithë asaj kohe, gjatë gjithë atyre baticave dhe zbaticave që i kam përjetuar, jo në planin artistik, por në këtë planin idiotesk tjetër. Ky është një tekst që më ka interesuar është një autor Gorani, të cilin e kam pasur shok, para së gjithash ai nuk ka qenë prej autorëve, i cili ka vepruar teatër në teatër, që të ofron tekstin dhe mund të them që në të vetmin Teatrin Shqiptar nuk gjeti vend, por në të gjitha teatrot në Evropë tekstet e tija janë luajtur dhe më vjen mirë që m’u realizua ajo dëshirë që këtë personazh ta realizoj, meqë e aprovuan drejtoria e teatrit propozimin tim.”, - theksoi aktori, Bajrush Mjaku.
“Pamë edhe një lexim të ri regjisorial me një ekip të formuar aktorësh, kjo gjithsesi është një prej dramave kult të Stefanovskit, e cila ka qenë aktuale në vitet e ’90-ta kur është shfaqur dhe fryma dhe dimensioni filozofik dhe dramaturgjik, ndoshta i përket edhe aktualitetit tonë, për arsye që kemi edhe një parabolë ngritjesh, rëniesh të jetës të problemeve dhe gjithë asaj që e ka preokupuar njeriun dhe shohim disa faza të kalimit sociologjik dhe politik të njeriut tonë dhe konsideroj se është një shfaqje e suksesshme.”, - u shpreh gazetari publicist, Emin Azemi.
Sëmundjet e pashëruara dhe të patrajtuara bashkëkohore, izolimi, tjetërsimi dhe ndarja klasore, sëmundje që bëhen të dukshme në shfaqje, por që kanë ekzistuar me dekada sollën në pah aktorët: Xhevdet Jashari, Mentor Kurti, Rrahim Ramadani.
“Kur punoj diçka shumë e zgjedh me kë do të punoj dhe si do të punoj, ky ishte regjisori, i cili në jetën time artistike kish ngelur pa punuar dhe ishte dëshira ime për të punuar me këtë regjisor. Unë vet e kam kërkuar këtë mënyrë të punës edhe jam ndarë shumë i kënaqur edhe përveç se me regjisorin, unë pas 8 viteve në këtë institucion që luaj dua t’i falënderoj aktorët e rinj, që kanë ardhur pas meje edhe më kanë pritur aq mirë, edhe i falënderoj shumë për ngrohtësinë edhe për profesionalizmin që kanë bërë.”, - u shpreh Xhevdet Jashari.
“Mishi i egër” nxori në sipërfaqe problemet që kemi pasur me dekada, shfaqje e cila bashkoi gjenerata aktorësh, ku në role tjera ishin Armenis Nokshiqi, Genci Mirzo, Sabina Memishi Asllanaj, Arben Rasimi, Hetem Etemi.
“Shumë bukur e thatë, me emra të mëdhenj të teatrit dhe kjo normalisht që ta lehtëson punën. Privilegj më të madh që të jesh në skenë me të madhin, Bajrush Mjakun, nuk ka, po ashtu edhe me kolegët tjerë ka qenë një proces i vështirë, po besoj që sonte do harrohet ajo vështirësia dhe do të shijojmë këtë magji që na e dha shfaqja.”, - theksoi aktori, Arben Rasimi.
Shfaqja ka reprizën e parë sonte në hapësirat e Teatrit Shqiptar.
ARDITA RAMADANI