Maqedoni

Infektimi me salmonelë, autoritet mohojnë infektimin në shkolla

09.11.2023 17:35

Rasti me helmimin e nëntë nxënësve në tri shkolla fillore të komunës së Karposhit...

Rasti me helmimin e nëntë nxënësve në tri shkolla fillore të komunës së Karposhit, ka ngritur alarmin se çfarë ushqimi po konsumojnë nxënësit nëpër shkollat fillore me qëndrim tërë ditor.
 
Te nëntë nxënës në shkollat fillore të komunës së Karposhit është detektuar bakteri “Salmonela”. Kryetari i komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, vlerëson se përgjegjësia nuk është te shkollat, për shkak se sipas informacioneve të tij “Salmonela” është detektuar edhe te nxënësit që nuk janë ushqyer nga kuzhina e shkollës, por gjithsesi se do të pret që të dalin rezultatet e analizave, të cilat do të tregojnë se a ka përgjegjësi te kompania që i furnizon shkollat me ushqim. 
 
“Kemi rast ku vëllai është klasa e katërt, ka marrë ushqim prej shkollës, por simptomat e njëjta i ka edhe motra e vet që nuk merr ushqim prej shkolle. Nga ana tjetër, atje ku përgatitet ushqimi në Sh.F. “Dimo Haxhidimov” nuk kemi salmonela, asnjë fëmijë nuk është i sëmurë. Shumë është e çuditshme dhe simptomatike kjo punë.”, - deklaroi kryetari i komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski.
 
Shkolla fillore “Ismail Qemali” është ndër shkollat ku ka qëndrim tërë ditor. Siç thonë të punësuarit në këtë shkollë, ushqimi në kuzhinë është në cilësi të lartë dhe i përmbush të gjitha kushtet higjienike. Fakt për këtë, siç thonë nga shkolla në fjalë, është ajo se deri tani nuk ka pasur raste ku nxënësit të jenë ankuar apo helmuar si pasojë e ushqimit.
 
“Jo, deri tani nuk kemi pasur raste. Pra mësimi tërë ditor, këtu e kemi edhe ushqimin, në kuzhinë dhe ne deri tash jemi të kënaqur, pasi që edhe fëmijët janë të kënaqur, prindërit janë të kënaqur. Fëmijët janë prej ora 8 deri në ora 16, këtu e marrin vetëm drekën e hanë dhe mendoj që është në cilësi të mirë.”, - u shpreh  mësimdhënësja në Sh.F. “Ismail Qemali”, Nebahate Lusjani. 
 
Megjithatë kompetentët thonë se problemi me ushqimin mund të paraqitet në mësimin klasik, pasi këtu nxënësit konsumojnë ushqim kryesisht prej jashtë. 
 
“Mundet edhe prej jashtë që marrin ushqime, patatina apo ndonjë tjetër gjë dhe e përmbushin ushqimin.”, - theksoi mësimdhënësja në Sh.F. “Ismail Qemali”, Nebahate Lusjani. 
 
Këtë e vërtetoi edhe kamera e TVM2, ku gjatë pushimit vërejtëm nxënës që konsumojnë ushqim prej shitoreve përreth shkollave. 
 
“Çfarë hani zakonisht kur jeni në shkollë? – “Ndonjë tost apo byrek. Ne blejmë më shumë jashtë.”, - tha një nxënës.
 
“Ne zakonisht hamë tost, gjevrek apo byrek.”, - tha një nxënës tjetër.
 
Deri më tani nuk ka raste të pacientëve të lajmëruar apo hospitalizuar me salmonelë, konfirmojnë nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve.  Për ndryshe nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari për TVM2 thonë se do të zbatojnë kontrolle në kompaninë “Vanilla Food”, që furnizon shkollat e komunës së Karposhit me ushqim.  
 
“Në mënyrë parandaluese, shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë do të kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme në kuzhinat e të gjitha shkollave në këtë komunë që furnizohet me ushqim nga ky operator, konkretisht edhe në ato shkolla ku nuk ka raste të konfirmuara të nxënësve të infektuar me salmonelë. Pas përfundimit të mbikëqyrjes së jashtëzakonshme dhe pas marrjes së rezultateve laboratorike nga analizat, publiku do të njoftohet për rezultatet dhe shkakun.”, thonë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari. 
 
Derisa të dihet konfirmimi zyrtar i infeksionit nga salmonela dhe nëse numri do të rritet, nxënësit e komunës së Karposhit nuk do të marrin mëngjes dhe drekë në mensë.
 
ERSAN PAJAZITI