Ekonomi

Projeksionet e Bankës Popullore, rritje ekonomike për 1,9%

09.11.2023 17:57

Banka Popullore ka dalë me projeksionet e fundit makroekonomike...

Banka Popullore ka dalë me projeksionet e fundit makroekonomike ku parashikon që vendi të ketë rritje ekonomike në nivel prej 1,9 % ndryshe nga projeksioni i Qeverisë, i cili pret rritje prej 2,5 %. Ajo që vërehet në parashikimet e fundit të Bankës Popullore është vazhdimi i trendit të uljes së inflacionit dhe pritet që vendi ta përfundojë vitin me  9,5 % inflacion. 
 
Nga projeksionet e Bankës Popullore shihet se ekonomia e vendit në mënyrë të ngadaltë po rikuperohet nga pasojat e krizës. Skenarë më pozitivë nga Banka Qendrore presin vitin e ardhshëm ku pritet rritje prej 3% dhe inflacion deri 4%, me kusht që të mos ketë ndonjë shok më të madh në aspektin global.
 
“Pritet që ekonomia e Maqedonisë këtë vit të rritet me 1,9%, ndërsa pastaj në linjë me rikuperimin e ekonomisë globale dhe rritja të përshpejtohet në afat të mesëm. Inflacioni pritet që të vazhdojë ngadalësimin ashtu edhe siç janë pritjet për inflacionin global duke e sjellë atë në nivel njëshifror. Megjithatë ambienti global mbetet i paparashikueshëm gjë që krijon rreziqe ndaj rritjes ekonomike, inflacionit dhe pozicionit të jashtëm duke e theksuar edhe më shumë nevojën për udhëheqjen e politikave strukturore.”, - deklaroi guvernerja, Anita Angelovska Bezhovska.
 
Ulje inflacioni në 9,5%, Bytyqi: Po kthehen shifrat normale të inflacionit
 
Ditë më parë kryeministri Kovaçevski deklaroi se vendi do ta përfundojë vitin me inflacion nën 6%, ndryshe nga projeksioni i Bankës Popullore. I pyetur për këtë, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, për TVM2 thotë se ajo është referencë në norma të ndryshme të inflacionit, por ajo që është premtuese, sipas tij është se po kthehen shifrat normale të inflacionit.  
 
“Nëse e marrim mesataren e vitit do të flasim për nivel të inflacionit siç përafërsisht flet Banka Popullore. Ajo çfarë ne na inkurajon dhe flasim që vitin ardhshëm do të kthehemi në normat normale të inflacionit, është ajo që duhet ta shohim. Inflacioni nuk luftohet brenda ditës dhe nuk mund ta shohim vetëm bazën e inflacionit që merret qoftë nga gazetarët apo edhe nga kryeministri, i cili referohet dhe ne referohemi në norma të inflacionit të ndryshme. Norma e inflacionit në muajin e fundit është 3,5%, por ajo nuk është ndryshe se norma mesatare e inflacionit. Në vitin 2023 do të jetë shumë e lartë sesa kjo, sepse janari, shkurti deri në qershor ne kishim norma inflacioni dyshifrore.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
 
Kursi devizor mbetet stabil dhe pritet që të mbahet, ndërsa rezervat devizore për momentin janë në nivel prej 3,9 miliard euro apo 28% nga BPV-së.
 
Periudhën në vazhdim për ekonominë e vendit, sfiduese do të mbetet edhe shpallja e recesionit nga ana e Gjermanisë, i cili është vendi me të cilët kemi shkëmbim më të madh tregtar, si konflikti në mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe mes Izraelit dhe Palestinës, thonë nga Banka Popullore.
 
GAZMEND KURTISHI