Maqedoni
Musliu: deklarata e Gruevskit nuk është në kundërshtim me kërkesën e Zaevit
16.03.2015 17:52
Formimi i një qeverie kalimtare është i mundur, por pa VMRO-DPMNE-në, ka thënë kryeministri, Nikolla Gruevski, gjatë mitingu të djeshëm të kësaj partie në sallën “Boris Trajkovksi”...

Analisti, Albert Musliu, shprehet se deklarata e kryeministrit nuk është aspak në kundërshtim me kërkesat e deritanishme të LSDM-së opozitare.
“Nuk e shoh në kundërshtim me kërkesën e Zaevit. Vetë fakti që kryeministri e pranoi mundësinë për krijimin e qeverisë kalimtare po pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së, nuk nënkupton pamundësinë e krijimit të qeverisë. Nga ana tjetër, Zaevi insiston në qeveri kalimtare në të cilën do të inkuadrohen persona jopartiak, d.m.th. ekspertë të cilët nuk janë eksponentë të subjekteve politike”- deklaroi analisti, Albert Musliu.
Ndërkohë, deklaratën e Menduh Thaçit se ka bisedime me kryeministrin, Nikolla Gruevski, për hyrjen e PDSH-së në qeveri, analisti Musliu e vlerëson si bisedime të mundura, por nuk duhet të lidhen me krizën politike në vend.
“Lëvizjet e reja të cilat prezantohen për mundësinë e hyrjes së PDSH-së në qeveri nuk i shoh të pamundura, vetëm nuk e di sa është e mundur në këtë moment, shkaku i gjithë këtyre tensioneve mes partisë më të madhe në pushtet dhe opozitës. Por, kjo nuk duhet të lidhet me krizën, sepse aktorë kryesorë këtu kemi DMNE-në dhe LSDM-në, ndërsa subjektet politike shqiptare së paku për këto 1 muaj e gjysmë nuk kanë qenë edhe aq shumë aktivë”- tha Musliu.
Sipas Musliut, rrugë e vetme për dalje nga kriza është arritja e një marrëveshjeje politike, e cila do të rezultonte me formimin e qeverisë kalimtare, që do të përgatiste terrenin për zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët.
SANIJE KASAMI
