Botë

Prishtinë, Kuçi kërkon njohjen nga Greqia

16.03.2015 18:06

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës Shtetit të Greqisë...

Ai këtë e ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me ambasadoren e Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou. Ministri Kuçi ka vlerësuar lartë thellimin e pandërprerë të bashkëpunimit mes dy shteteve dhe rolin e Greqisë që haptazi po përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. 
 
Gjatë takimit është diskutuar edhe mbështetja e Greqisë për sistemin e drejtësisë të Kosovës përmes EULEX-it.
 
Ministri Kuçi ka theksuar që bashkëpunimi bilateral në fushën e drejtësisë duhet të forcohet edhe më shumë, sepse bashkëpunimi ndërkufitar lehtëson dukshëm luftimin e krimit të organizuar që nuk njeh kufij. 
 
Ambasadorja greke, në anën tjetër, ka theksuar se Greqia do të vazhdojë të ketë qasje konstruktive ndaj Kosovës.
 
Edhe pse ende nuk e ka njohur Kosovën, Greqia është kontribuese e rregullt në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar që veprojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe EULEX-in dhe KFOR-in.
 
Greqia ka njohur pasaportat e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe pasaportat diplomatike, si dhe vazhdon të jetë një shtet mik në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.