Maqedoni

Projekti për vetëpunësim, hapen rreth 200 kompani të reja në Strugë

10.11.2023 13:32

Programet për vetëpunësim përmes granteve nga Agjencia për punësim kanë inkurajuar një numër të madh të të papunëve në Strugë...

Programet për vetëpunësim përmes granteve nga Agjencia për punësim kanë inkurajuar një numër të madh të të papunëve në Strugë, për të krijuar bizneset e tyre, të cilat pritet të stimulojnë ekonominë vendase. Këtë vit ekonomisë së Strugës i janë bashkuar rreth 200 kompani të reja, duke e bërë Strugën qytetin e tretë pas Shkupit dhe Tetovës në bazë të personave që kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga grantet. Këto burime financiare të pakthyeshme në vlerë prej 5,000 dhe 10,000 euro për biznes me një apo dy persona, janë të destinuara për mbështetje direkte për blerjen e pajisjeve dhe materiale riparimi, regjistrim dhe këshillim për sipërmarrje.
 
“Në vitin 2023 në komunën e Strugës ka 177 aplikantë për 5,000 euro dhe 72 aplikantë që janë për DOO ose 10 mijë euro, në kuadër të së cilës kanë fituar 112 persona të cilët janë të papunë dhe kanë hapur biznese dhe 42 firma me dy persona.”, - deklaroi drejtoresha e Agjencisë për punësim në Strugë, Elvadina Dika.
 
Viteve të fundit grantet kanë inkurajuar qytetarët e Strugës që të ringjallin disa profesione që janë në zhdukje e sipër. Në kuadër të aplikantëve për grante ka profile të ndryshme, siç janë zdrukthëtarë, rrobaqepës, kozmetika e të tjerë. 
 
“Besoj që me kalimin e kohës, në 2024 do të kemi më tepër rritje të profileve që janë në zhdukje, sidomos në fushën e ndërtimtarisë, në kahje të ndryshme, në fushën e hotelerisë, sepse jemi vend turistik, si dhe në profile që janë zinxhir dhe kontribuojnë në mirëkëmbjen e të gjitha veprimtarive ekzistuese në komunën e Strugës.”, - theksoi drejtoresha e Agjencisë për punësim në Strugë, Elvadina Dika. 
 
Përveç granteve me financim të pakthyeshëm, Agjencia për punësim ofron edhe subvencione për bizneset e reja, për punësime, subvencione me financim, si dhe trajnime për fusha të ndryshme që i kërkojnë punëdhënësit. 
 
ILMIE ZHAKU