Botë
Gaza, vazhdojnë sulmet izraelite, studentët palestinezë në RMV: Ndjekim me shqetësim zhvillimet
10.11.2023 13:47
Si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite në një ndërtesë poliklinike në kampusin e spitalit “Al-Shifa” në Gaza...

Si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite në një ndërtesë poliklinike në kampusin e spitalit “Al-Shifa” në Gaza, raportohet se janë vrarë dhjetëra palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë. Gjithashtu njoftohet se Spitali i Fëmijëve “An-Nasr” në perëndim të qytetit të Gazës është jashtë funksionit si pasojë e bombardimit të portës së spitalit. Sulmet e avionëve luftarakë izraelitë në Spitalin e Fëmijëve “Er-Rantisi” shkaktuan gjithashtu një zjarr të madh në spital duke vrarë dhjetëra pacientë. Njoftohet për sulme edhe ndaj kamionëve me ndihma humanitare, që futen përmes pikës kufitare Rafah.
“Ne u futëm në Gaza me disa kamionë me ndihma mjekësore të nevojshme, të cilat planifikonim t'i shpërndanim nëpër objekte të ndryshme shëndetësore. Për shkak të sfidave serioze të sigurisë në rrugë, një nga kamionët tanë u godit dhe një nga shoferët tanë u plagos.”, - deklaroi Villiam Shomburg nga Komuniteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Studentët palestinezë në Maqedoninë e Veriut, i ndjekin me shqetësime zhvillimet në Gaza dhe me gjithë dëshirën për t’u kthyer në vendlindje një gjë e tillë tani për tani duket e pamundur.
“Për momentin nuk e di nëse do të kthehem në vendin tim, sepse situata është shumë e keqe, të gjitha planet kanë ndryshuar. Të gjithë njerëzit duan të jenë pranë familjes, të punojnë atje dhe të bëjnë diçka të mirë për vendin e tyre.”, - theksoi studentja nga Palestina në Maqedoninë e Veriut.
“Ëndrra ime më e madhe është të kthehem në Palestinë dhe të punoj atje. Dua të jem mes familjes sime, miqve. Por problemi është që këtë nuk mund ta bëjmë për shkak të situatës me luftën, jam shumë konfuze nëse do të kthehem ose jo. Nuk do të ketë paqe, derisa ne nuk kthehemi në shtëpitë tona të pushtuara.”, - u shpreh një studente tjetër nga Palestina në Maqedoninë e Veriut.
Blinken: Angazhohemi për zgjidhje me dy shtete
Përpjekjet për të vendosur paqen si zgjidhje me dy shtete edhe më tej vazhdojnë, thotë sekretari amerikan i shtetit, Blinken.
"Të përpiqemi të gjejmë një themel të vërtetë për paqen e qëndrueshme dhe sigurinë e qëndrueshme. Ne kemi qenë prej kohësh të përkushtuar ndaj dy shteteve. Kjo ishte politika e shpallur e administratës kur erdhëm në detyrë.”, - theksoi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.
Për një muaj konflikt janë vrarë mbi 11,000 palestinezë. 70% e tyre janë gra, fëmijë dhe pleq. Ndërsa nga pala izraelite jetën e kanë humbur mbi 1,500 persona.
FARIJE DAUTI BAKIJU
