Maqedoni
Mexhiti për rastin “Onkologjia”: Prokuroria të dalë me informata konkrete
10.11.2023 14:20
I emocionuar që si ministër vizitoi repartin e Neurologjisë në të cilin ka punuar...

I emocionuar që si ministër vizitoi repartin e Neurologjisë në të cilin ka punuar, u shpreh nostalgjik për profesionin e tij. Ai tha se më mirë ndjehet në mantel të bardhë, kurse kravata e ngufatë. Megjithatë bëri të ditur se këtë post e mori për ta çuar përpara sektorin e shëndetësisë, për çka paralajmëroi ndryshime pozitive. I bëri thirrje Prokurorisë që të dalë me të dhëna konkrete për rastin “Onkologjia”.
“Apeloj edhe njëherë edhe për Onkologjinë. Është kohë e fundit që Prokuroria të dalë saktë me emër dhe mbiemër, për shkak se ky kostum që e shihni tek unë, kjo kravatë më ngufatë. Unë sot më mirë po ndjehem këtu dhe kam emocione dhe gjithmonë e parapëlqej mantelin e bardhë. Prej ditës së parë kam thënë nuk parapëlqej të bëhem politikan, por do të jem këtu mjek, ashtu do të mbes dhe së bashku me kolegët e mi, së bashku me ju do t’i drejtojmë gjërat.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Neurologjia me aparaturë për sklerozë multiple, mjekët: Është me rëndësi diagnostikimi i hershëm
Përndryshe në Klinikën e Neurologjisë u promovua aparatura për diagnostikimin e sklerozës multiple. Kjo sëmundje në nivel vjetor detektohet te rreth njëqind pacientë.
“Kjo sëmundje më shpesh detektohet te personat nga 20 deri në 40 vjet. Vlerësoj se vet shoqata kombëtare për përkrahje dhe ndihmë të personave me sklerozë multiple, e arsyetoi shkakun e ekzistimit të tij.”, - theksoi Ana Karajanova Dimitrusheva nga Shoqata Kombëtare për Sklerozë Multiple.
Kjo aparaturë është e një rëndësie të veçantë, thonë mjekët, pasi me vet diagnostikimin e hershëm të sklerozës multiple do të mundësohet ulja e invaliditetit.
“Ai është aparat me sensitivitet të madh, specifikim të madh. I njëjti do të mundësojë zbulimin e hershëm, para se të paraqiten simptomat te pacientët, me atë që zbulimi i hershëm, diagnostikimi i hershëm do të kontribuojë me fillimin e trajtimit terapeutik dhe uljen e invaliditetit, që është karakteristikë për këtë sëmundje.”, - u shpreh specialisti për Biokimi Klinike, Vasko Aleksovski.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë njoftoi se në këtë klinikë është bërë edhe renovimi i tri ambulancave, kurse janë sjellë edhe aparatura të tjera.
“Egea”, metodë bashkëkohore joinvazive për monitorimin e funksionit të trurit, që përdoret për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve neurologjike.”, - theksoi drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Visar Miftari.
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, paralajmëroi se në këtë klinikë së shpejti do të sjell edhe aparaturën për rezonancë magnetike.
ERSAN PAJAZITI
