Maqedoni
Komisioni Anketues për Onkologjinë, VMRO-ja kërkon zgjatjen e afatit për 30 ditë
10.11.2023 14:57
Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së i ka kërkuar Kuvendit që të vazhdojë afatin e funksionimit të Komisionit Anketues...

Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së i ka kërkuar Kuvendit që të vazhdojë afatin e funksionimit të Komisionit Anketues për skandalin e Onkologjisë edhe për 30 ditë shtesë. Kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi, thotë se informacionet e dala nga dëshmitarët e deri tanishëm imponojnë nevojën që të ketë edhe dëgjim të dëshmitarëve të tjerë, me qëllim që skandali të ndriçohet. Në seancat plotësuese, do të dëgjoheshin dëshmitë e ekspertëve, ish-bartësve të detyrave zyrtare, si dhe bartës aktual të funksioneve.
“Gjatë ditëve të kaluara janë publikuar njohuri të reja për rastin e Onkologjisë, nga të cilat mund të konstatohet se bëhet fjalë për dyshime, metastazë të mishit të egër dhe sundim të mafias. Këto njohuri të reja për ngjarjet në Onkologji dhe informacionet të cilat u dhanë nga dëshmitarët e deritanishëm, imponojnë nevojën që të hetohen të gjitha informacionet e reja dhe të vazhdohet afati i punës së komisionit në pjesën e bartësve të funksioneve publike, personave udhëheqës të institucioneve dhe të zgjerohet edhe afati kohor për të cilin ka të bëjë skandali, duke përfshirë këtu edhe periudhën nga prilli i vitit 2023, për të cilën flet edhe raporti i Fondit Shëndetësor.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi.
Nga VMRO – DPMNE-ja ftojnë mazhorancën, por edhe partitë tjera opozitare nëse duan të zbardhet skandali me onkologjinë, atëherë të përkrahin vazhdimin e punës së Komisionit Anketues.
Deri më tani janë dëgjuar dëshmitë e më shumë se 50 personave, ish-ministra dhe ministra aktual, drejtorë, udhëheqës të sektorëve, të punësuar në institucionet kompetente, sikurse Ministria e Shëndetësisë, Fondi Shëndetësor, Agjencia e Ilaçeve “Mallmed”, Inspektorati Shëndetësor, Klinika Universitare e Onkologjisë. Ndërkohë nga Parlamenti informojnë se seanca e dhjetë e radhës të Komisionit Anketues për skandalin në Onkologji është caktuar të hënën. Nëse nuk vazhdohet më tej puna e Komisionit, atëherë ky trup do të sjellë konkluzione dhe të thotë emrat e personave të cilët duhet të bartin përgjegjësi politike.
MERAL ISMAILI
