Maqedoni

Raporti i KE-së përplasi partitë politike, VMRO-DPMNE: Qeveria e ka fajin për këtë stagnim

10.11.2023 15:15

Pas kritikave në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit nuk kanë të ndalur fajësimet...

Pas kritikave në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit nuk kanë të ndalur fajësimet mes pushtetit dhe opozitës se kush është përgjegjës për situatën aktuale të vendit. Nga pallati i bardhë i liderit të opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, thonë se fajin për  vlerësimin negativ të KE-së e ka vetë Qeveria. Sipas VMRO-DPMNE-së pushteti u ka dëshmuar jo vetëm qytetarëve, por edhe ndërkombëtarëve se  fronti për BE-në është i rrejshëm. Ky nuk është raport-progres, por raport stagnimi për MV-në, thonë nga kjo parti. 
 
Ky është raporti i stagnimit. Fjala stagnim ose pa progres është fjala më e zakonshme në raport. Për fat të keq, raporti përdor vazhdimisht fjalët: korrupsion gjithandej, vendime kontraverse, ndërhyrje e autoriteteve në drejtësi, vjetërsim i çështjeve me ndryshimin e ligjeve, pa progres, pa vullnet, pa burime etj.”, - deklaroi Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Progres në 81% të kapitujve, asnjë ngecje
 
Social-demokratët nuk pajtohen me qëndrimin e opozitës. Ka progres në 81% të kapitujve dhe asnjë hap mbrapa askund.  Ata theksojnë planin e rritjes së ekonomisë të destinuar për Ballkanin Perëndimor.
 
“Për herë të parë kemi rezervuar para për reformat, nga të cilat 1 miliard euro janë në dispozicion për Maqedoninë e Veriut. Tani ne mund të shfrytëzojmë privilegjet dhe mundësitë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian para kohe, pra derisa negociatat janë në vazhdim. Siç kemi kërkuar, deri në prill të vitit 2024, qëllimi është të bëhet transferimi i parë i parave. Kjo do të thotë se nëse vazhdojmë me reformat dhe procesin integrues, pas pesë muajsh do të kemi transferimin e parë nga paketa e re.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
LSDM-ja fajin për këtë raport të KE-së e adreson tek VMRO-DPMNE-ja, ku thonë se në faqen 10 të raportit thuhet qartë se “partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE-ja, bllokoi në mënyrë aktive punën ne Kuvend, e cila ishte  pengesë e rëndësishme për përparimin.”. 
 
SANIJE DURAKU