Maqedoni
Ligji për mbështetje financiare, Bytyqi: Numri i kompanive po rritet çdo ditë e më shumë
10.11.2023 16:06
Ligji për mbështetje financiare po jep efektin e duhur në ekonomi, deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi...

Ligji për mbështetje financiare po jep efektin e duhur në ekonomi, deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitave të cilat ai ju bëri kompanive private, të cilat janë shfrytëzues të mjeteve qeveritare. Paralajmëroi ndryshime në ligj për t’u siguruar në të ardhmen 100% pagesë të garantuar kompanive. Shtoi se mbështetja financiare ka ndikuar në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zgjerimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve.
“Si qeveri që ofron mbështetje financiare për kompanitë në industrinë ushqimore, synimi ynë është të promovojmë rritjen ekonomike, vende të reja pune, por edhe sigurinë e ushqimit dhe inkurajimin e inovacionit në sektor. Vetëm në rajonin e Shkupit janë përkrahur 181 kompani, të cilët kanë marrë rreth 1 miliard e 200 milion denarë ndihmë financiare për ciklin e tyre investues. Ne do t’i përgjigjemi besimit duke ndryshuar ligjin për mbështetjen financiare të investimeve për një pagesë të garantuar prej 100% për secilën kompani, në mënyrë që në të ardhmen pagesa e mbështetjes të mos varen nga vullneti i askujt.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
Afaristi, Hajrun Sulejmani, kompania e të cilët është shfrytëzues i ndihmave qeveritare thotë se në këto kohë krizash mbështetja është e mirëseardhur dhe ka ndikuar në rritjen e kompanisë së tij për 10%.
“Ndihmat e qeverisë në këto kohë krize kompanitë tonë e kanë ndihmuar tepër, kështu që jemi shfrytëzues të këtyre ndihmave që i ndan Qeveria. Gjithashtu kemi shfrytëzuar edhe ndihmat nga IPA fondet me shumë deri në 1 milion e gjysmë dhe në thirrjen e fundit kemi bërë një aplikim ku investimi do të jetë diku rreth 1 milion e 400 mijë euro. Kjo ndihmë diku 10% ka ndikuar në ngritjen kompanisë.”, - theksoi afaristi, Hajrun Sulejmani.
Qeveria nëpërmjet ligjit për mbështetje financiare ka ndihmuar 919 kompani, të cilat në ciklet e tyre investuese kanë shfrytëzuar diku rreth 100 milion euro përkrahje shtetërore.
GAZMEND KURTISHI
