Maqedoni

Nebiu: Në ankand publik, katër prona të Mijallkovit

10.11.2023 16:42

Agjencia për menaxhimin e pronës së konfiskuar, me vendim të Qeverisë...

Agjencia për menaxhimin e pronës së konfiskuar, me vendim të Qeverisë, ka nxjerrë në ankand për shitje edhe katër patundshmëri nga prona e konfiskuar e ish-drejtorit të DSK-së, z. Sasho Mijalkov.  Drejtori i Agjencisë, Driton Nebiu, sqaron se bëhet fjalë për tre banesa në rrugën “Slavejko Arsov”, edhe atë një banesë prej 78 m2, dy prej 73 m2 dhe një garazh prej 30 m2 në qendër, të konfiskuara me aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata Themelore Penale, Shkup. 
 
“Nga ky ankand publik, nëse gjithçka përfundon me sukses, në arkën e shtetit do të kthehen nga patundshmëritë të konfiskuara nga ish-drejtori i DSK-së afër 330,350 euro. Kjo nuk do të thotë se ne me këtë ankand publik do ta përfundojmë, sepse nga pasuria e konfiskuar të cilat janë ende pa u shpallur në ankand publik ka diku 20 apartamente dhe 8 hapësira që nënkuptojnë garazhe në rrugën “Sllavejko Arsov”.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar, Driton Nebiu.
 
Nebiu: Kemi ndarë mbi 100 vetura për institucionet
 
Nëse shiten të gjitha pronat e konfiskuara nga Mijallkovi, në arkën e shtetit pritet të kthehen diku 15 milion euro, thotë Nebiu, i cili njëherit bën të ditur se tanimë janë shitur dy banesa dhe një parcelë dhe në arkën e shtetit janë kthyer rreth 250 mijë euro. Nebiu njëherit bën të ditur se me ardhjen e tij në krye të kësaj Agjencie ka ndarë mbi 100 vetura për disa institucione shtetërore.
 
“Duke pasur parasysh për krizën ekonomike shtetërore dhe globale e pamë të arsyeshme të gjitha veturat që i kemi nëpër depot e Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar, që kanë lëndë të përfunduar nga ana e gjykatës dhe që kanë lëndë të përfunduar, ne u zotuam t’ua shpërndajmë të gjitha institucioneve shtetërore.”, - theksoi drejtori i Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar, Driton Nebiu.
 
Nga Agjencia deri tani janë ndarë edhe 6 mijë pako për nxënësit e disa shkollave të vendit, ndërsa në përgatitje e sipër janë edhe 14 mijë pako, të cilat do të shpërndahen nëpër shkolla në nivel republikan. 
 
FITORE DEMOLLI