Maqedoni

Ziberi dhe Snopçe: Raporti i progresit të KE-së është real

10.11.2023 18:00

Raport-progresi i KE-së është real, vlerëson deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arben Ziberi...

Raport-progresi i KE-së është real, vlerëson deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arben Ziberi. Raporti është i një rëndësie të veçantë, sepse vjen pikërisht në kohën kur vendi është para hapjes së kapitujve dhe defektet të cilat janë shënuar në këtë progres duhet të përmirësohen, thekson Ziberi. 
 
“Raport-progresi për RMV-në kishte disa fusha që kishte një avancim, por duhet parë më shumë kujdes dhe duhet të lexohet me shumë vëmendje ky raport i Komisionit Evropian, sepse është shumë me rëndësi, sidomos në ato fusha që i cekët ju në Gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. E gjithë kjo ka një emërues të përbashkët, afrimi jonë drejt Unionit Evropian dhe jo rastësisht është insistimi jonë për ta bërë hapin, i cili është vendimtar për t’u eliminuar edhe këto kritika në Gjyqësor dhe në shumë fusha tjera. Mendoj se ndryshimi i Kushtetutës dhe hapja e negociatave është vendimtare.”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Arben Ziberi.
 
Edhe për deputetin e ASh-së, Halil Snopçe, këto kritika duhet të shihen me shumë seriozitet.
 
“Është e vërtetë që në mbi 2/3 e fushave të kapitujve, ne kemi një progres, por është progres i papërfillshëm apo një progres minimal dhe që nuk na gëzon ai fakt normal, sepse kryefjala e këtij raporti është që nuk ka progres që paraqitet plotë 40 herë. Nga ana tjetër, kemi fjalën progres i limituar që përsëritet 30 herë. Pra, regresi kryesor kundër krimit të organizuar që i bie përsëri kemi kritika të jashtëzakonshme, për mosfunksionimin e sistemit gjyqësor. Progres i mirë është realizuar në sferën e lirisë së shprehjes dhe në politikat monetare.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe. 
 
Kritika serioze në raport kishte edhe për polarizimet e shumta në Kuvend dhe për punën e Kuvendit në përgjithësi, por Snopçe thotë se përgjegjësia për këtë nuk bie mbi një subjekt, por mbi të gjithë spektrin politik në vend.
 
Edhe Snopçe edhe Zyberi janë të mendimit se ky raport na tregon se menjëherë duhet të ulemi dhe seriozisht t’i analizojmë vërejtjet dhe të bëhen korrigjime dhe përmirësime të shpejta, që të mos penalizohemi në rrugëtimin tonë drejt BE-së.   
 
FITIM KRYEZIU