Strugë, rriten vizitat në Muzeun Shkencor Natyror
Numri i vizitorëve në muzeun e shkencor natyror...

Numri i vizitorëve në muzeun e shkencor natyror apo i njohur edhe si muzeu i kafshëve të shpirtosura, Dr. Nikolla Nezlobinski në Strugë vitet e fundit është në rritje. Pas pandemisë ku muzeu ishte pothuajse i mbyllur dhe numri i vizitave kishte rënie të madhe, këtë vit muzeu është rimëkëmbur plotësisht dhe interesimi për të vizituar këtë muze që është një atraksion në Strugë, gjithnjë e më shumë po rritet. Ka vizitorë të ndryshëm nga Maqedonia e Veriut dhe jashtë vendit.
Strugë, interesimi nga shkollat e vendit i pamjaftueshëm
Muzeu vizitohet shumë edhe nga shkollat e vendit, nga muzeu thonë se edhe numri i vizitave nga shkollat e vendit është i konsiderueshëm, megjithatë shkollat duhet të kenë interesim më të madh për këtë muze, i cili ka edhe karakter edukativ.
“Numri i vizitorëve vitet e fundit gjithnjë e më shumë po rritet ka një numlr të madh të vizitorëve si të huaj ashtu edhe vendas. Kemi vizitorë edhe nga shkollat. Shkollat janë në numër të konsiderueshëm, por përsëri mendoj se shkollat duhet ta vizitojnë edhe më tepër këtë muze, jo vetëm sepse kan çka shohin në këtë muze por ky muze ofron edhe karakter edukativ edhe fëmijët mund të mësojnë në këtë muze.” – tha Sejmira Dibra Qyra, biologe në muzeun Dr. Nikolla Nezlobinski.
Vitet e fundit është rritur edhe interesimi i turistëve të huaj për këtë muze. Turistët të cilët e vizitojnë më së shumti janë nga Hollanda Turqia dhe Serbia.
“Ka mjaft turist të huaj, sidomos nga Hollanda Serbia e Turqia, sepse kto janë vendet nga ku vijnë më shumë turistë, dhe ata janë mjaft të mahnitur nga ky muze pasi e veçanta e këtij muzeu është se çdo gjë që shihet në këtë muze i përket rajonit të Strugës, pra maleve, liqenit, drinit të zi. Kur themi për çdo gjë që është nga Struga, bëhet fjalë edhe për disa kashë që ne nuk i kemi më në rrethin e Strugës. Çdo turist që vijn në Strugë ja vlen ta vizitojë këtë muze, sepse ky muze është i vjetër mbi 90 vjeç, dhe përveç vjetërsisë, çdo gjë është ekspozuar në diorame ku secfilës kafshë i është dhënë natyra, mënyra se si jeton“ – u shpreh Sejmira Dibra Qyra, biologe në muzeun Dr. Nikolla Nezlobinski.
Muzeu shkencor natyror Dr. Nikolla Nezlobinski në Strugë është i veçantë edhe për faktin se muze të tillë në vendin tonë janë vetëm dy, një në Shkup dhe një në Strugë. Vizitat më të shumta në muze janë gjatë sezonit veror, ndërsa në dimër numri i vizitave është më i ulët.
Vitet e fundit në muze janë bërë edhe renovime, të cilët e kanë bërë muzeun edhe më atraktiv. (Ilmije Zhaku, TVM2)
