Kërçovë, rinovimi i SHMK “Drita” drejt përfundimit

11.11.2023 16:01

Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës...

Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nga data 10 qershor kanë filluar punimet për rinovimin e hapësirave të brendshme në objektin e përbashkët të shkollave të mesme “Drita” dhe “Mirko Mileski”.

Për shkak të rikonstruimit të objektit, nxënësit e shkollës së mesme “Drita”, mësimin e ndjekin në objektin që disa vite më parë shfrytëzohej për drejtimet e disperzuara studimore të UT-së, në ambiente të përshtatshme, të cilat mundësojnë që procesi mësimor të zhvillohet normalisht, thotë drejtori Festim Ahmeti.

Ai nënvizon se  sipas planifikimit, ky projekt duhet të realizohet deri në fund të këtij viti, dhe sipas të gjitha gjasave, nxënësit e kësaj shkolle, gjysëm vjetorin e dytë do ta fillojnë në objektin e rinovuar.

Paralelisht me rikonstruimin e objektit shkollor, para një muaji ka filluar edhe rinovimi i palestrës sportive, e cila duke u bazuar në ritmin e deritanishëm të zhvillimit, do të përfundojë brenda afatit të paraparë 6 mujor. (Shaban Dalipi, TVM2)