Silvinjo: Dy ndeshje të rëndësishme dhe vendimtare për Shqipërinë
Kanë mbetur edhe dy ndeshje....

Kanë mbetur edhe dy ndeshje të fundit në rrugëtimin e Kombëtares shqiptare drejt finaleve të Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Dy ndeshje shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha, vendimtare për një vend në finalet e Europianit 2024.
Pasi zbardhi listën me 24 lojtarët e grumbulluar për këto dy takime, trajneri Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media, në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ në Tiranë.
Tekniku brazilian nënvizoi se këto dy finale janë vendimtare për Shqipërinë dhe se ashtu sikurse edhe në ndeshjet e kaluara, të gjithë lojtarët duhet të jenë sa më të vëmendshëm për të marrë maksimumin.
Fokusi i skuadrës është fillimisht te takimi me Moldavinë, e më pas te ndeshja ndaj Ishujve Faroe theksoi trajneri Silvinjo, i cili i vlerësoi maksimalisht dy kundërsharët. Mungojnë vetëm dy finale për të realizuar ëndrrën e bukur që Shqipëria po jeton prej 10 muajsh nënvizoi ndër të tjera trajneri Silvinjo.
“Moldavia është ende në garë dhe ne na pret një ndeshje shumë e vështirë, por mendoj që ne nuk duhet të ndryshojmë. Është e drejtë që tani në këto momenti të bëjmë llogaritë tona, por në futboll është gjithmonë e vështirë të bësh llogari. Po të bëjmë llogaritë matematikisht na duhet vetëm një pikë, por nuk mund të shkojmë në një ndeshje futbolli dhe të hyjmë në fushë me idenë që duhet të marrim 1 pikë. Duhet të marrim maksimumin në një ndeshje shumë të vështirë dhe duhet të luajmë gjithmonë ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre dy ndeshjeve. Do të jemi të organizuar në fushë, do të vendosim zemrën dhe shpirtin dhe do të luajmë ndeshjen tonë ashtu siç kemi bërë në të gjitha sfidat e kaluara. Nuk janë ndeshje të lehta këto përpara. Që kur kemi folur në fillim në lidhje me këtë fushatë kualifikuese, kemi thënë që objektivi ynë ishte që të vinim në muajin nëntor në kushtet për të qenë në garë për kualifikim. Dhe jemi në kushtet për t’u kualifikuar, kemi gjithçka në dorë. Jam shumë i kënaqur nga skuadra, nga tifozët, nga ambienti, për mbështetjen që na kanë dhënë. Objektivi ynë është që të kualifikohemi. Fokusi është i gjithi aty. Jemi duke jetuar një ëndërr. Shqipëria po jeton një ëndërr prej 10 muajsh, është shumë e bukur. Por na mungon një pjesë shumë e rëndësishme për ta realizuar këtë ëndërr.” është shprehur seleksionuesi Silvinjo.
Kombëtarja shqiptare, dy finalet e mëdha drejt plasmanit në EURO 2020, do ti luaj gjatë javës së ardhshme. Fillimisht kundër Moldavisë më 17 nëntor si mysafir, e më pas edhe ndaj Ishujve Faroe më 20 nëntor në Tiranë.
