Botë
ShBA: Assadi nuk ka rol në zgjidhjen e konfliktit në Siri
17.03.2015 14:43
Shtetet e Bashkuara thonë se kurrë nuk do të zhvillojnë negociata direkte me liderin e Sirisë, Bashar al-Assad, për zgjidhjen e konfliktit në Siri...

Këto komente të zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, mbrëmë në Uashington u bënë një ditë pasi sekretari i shtetit, John Kerry, ka sugjeruar se mund të ketë vend për Assadin në kuadër të arritjes së zgjidhjes diplomatike për ndaljen e luftës civile në Siri.
Zëdhënësja Psaki, më tutje, ka theksuar se Uashingtoni “e ka pranuar nevojën që përfaqësuesit e qeverisë së Assadit të marrin pjesë në çfarëdo negociata, por atje kurrë nuk do të jetë vetë Assadi”.
Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se prioritet i lartë në Siri është lufta kundër grupit ekstremist, “Shtetit Islamik”.
Lufta civile në Siri tashmë ka hyrë në vitin e pestë. Gjatë kësaj lufte janë vrarë qindra mijëra njerëz, ndërsa miliona sirianë janë zhvendosur. Bashar al-Assad nuk ka treguar shenja se do të tërhiqet nga pushteti.
