Botë

OBSh-ja e konfirmon: Spitali më i madh i Gazës është jashtë funksionit

13.11.2023 10:06

Spitali “Al-Shifa”, më i madhi në Rripin e Gazës, është zyrtarisht jashtë funksionit....

Spitali “Al-Shifa”, më i madhi në Rripin e Gazës, është zyrtarisht jashtë funksionit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar raportimet e mesditës së djeshme se gjeneratorët e spitalit kryesor janë fikur dhe godina është vendosur nën rrethimin e ushtrisë izraelite. OBSh-ja thotë se spitali është “fikur” prej tre ditësh për shkak të bombardimeve, me gjeneratorin e fundit të “Al-Shifa”, që i mbaroi karburanti në fundjavë, duke çuar në vdekjen e tre foshnjave të lindura para kohe dhe nëntë pacientëve të tjerë.

Ndërkohë ka një përplasje deklaratash midis Hamasit dhe Tel Avivit zyrtar. Ushtria izraelite pretendon se kishte koordinuar dërgimin e 300 litrave karburant me zyrtarët e spitalit, por Hamasi ka penguar zyrtarët e spitalit që ta pranonin ndihmën. “Al-Shifa” nuk është i vetmi spital jashtë funksionit. Të dielën, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës njoftoi se Spitali “Al-Kuds”, një tjetër strukturë e madhe në qytetin e Gazës, tani është jashtë funksionit. Ndërkohë, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë më shumë se 11,000 njerëz, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë dhe një bllokadë e karburantit ka rezultuar në një krizë të thelluar humanitare pasi spitalet, sistemet e ujit, furrat e bukës dhe shërbimet e tjera të varura nga energjia elektrike janë mbyllur.