Botë
Prishtinë, GJSK: arrestimet e para në maj
17.03.2015 14:45
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e kryesisë së kuvendit me amendamentet e propozuara dhe kjo kërkesë tashmë është duke u proceduar...

Ekipet përgatitore për formimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë kanë finalizuar detajet dhe të gjitha dosjet e para të cilat do t’u vihen në dispozicion prokurorëve të dhomave të specializuara për ngritjen e aktakuzave të para.
“Top Channel” ka mësuar nga burime ndërkombëtare në Prishtinë se në muajin maj priten arrestimet e para të zyrtarëve të lartë në institucionet e Kosovës, të cilët gjatë luftës kanë qenë në hierarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe anëtarë të partive që u formuan pas luftës nga fraksionet e UÇK-së.
Mësohet se shumica e dosjeve për të akuzuarit tanimë janë gati, por numri i të akuzuarve ende nuk dihet, ndërsa për të gjykuar pretendimet për krime lufte do të jenë në dispozicion pesë panele gjyqtarësh në të njëjtën kohë.
Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se në përputhje me procedurat ligjore brenda afatit do të vendosë për kushtetutshmërinë e amendamenteve të propozuara nga qeveria.
Institucioni më i lartë i Drejtësisë kosovare nuk ka dhënë përgjigje rreth përjashtimit të gjykatës kosovare në rastet e ankimuara nga Gjykata Speciale.
Ndërsa në kushtetuese po shqyrtohen amendamentet e reja, në kuvend kanë nisur përgatitjet për marrëveshjen ndërkombëtare që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Holandës për vendosjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në territorin holandez.
Edhe ndryshimet kushtetuese, por edhe marrëveshja ndërkombëtare, duhet të miratohen nga dy të tretat e deputetëve.
Në rast se Kosova dështon të miratojë këto ndryshime për t’i hapur rrugë gjykatës, ndërkombëtarët kanë paralajmëruar se ajo do të formohet me vendim të posaçëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
