Maqedoni
Opozita shqiptare do të formojë grup parlamentar
13.11.2023 11:50
Blloku opozitar shqiptar i njohur ndryshe si Lidhja Evropiane për Ndryshim...

Blloku opozitar shqiptar i njohur ndryshe si Lidhja Evropiane për Ndryshim, që përbëhet nga tre partitë: Lëvizja “Besa”, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, sot pritet të formalizojë bashkëpunimin edhe në shtëpinë ligjvënëse duke formuar grup parlamentar.
Lidhja Evropiane për Ndryshim ka shtatë deputetë, tre nga Alternativa, tre nga grupi i Izet Mexhitit dhe një nga Lëvizja “Besa”. Këto tre parti kanë paralajmëruar se do të shkojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar që do të garojë e vetme në zgjedhje.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u ka dhënë afat partive politike në Kuvend që deri në Vitin e Ri të vendosin datën e zgjedhjeve. Pas këtij afati, ai theksoi se do të duhet të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet.
