Botë
Kryediplomatët evropianë takohen me homologët ballkanas
13.11.2023 12:12
Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel...

Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët. Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josef Borrell.
Sipas paralajmërimeve nga BE-ja, temat kryesore do të jenë situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.Shtetet e tjera, sikurse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka detyrim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Kjo gjë është vlerësuar nga BE-ja.
Në prag të takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut evropian. Këtë letër e kanë nënshkruar Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia. Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit. Po ashtu, ata kanë propozuar edhe pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së.
