Maqedoni
Këshilli Gjyqësor: Të vetëdijshëm për besimin e ulët dhe vërejtjet
13.11.2023 15:04
Këshilli Gjyqësor është i vetëdijshëm për besimin e ulët, kritikat dhe vërejtjet e shumta që i janë adresuar gjyqësorit...

Këshilli Gjyqësor është i vetëdijshëm për besimin e ulët, kritikat dhe vërejtjet e shumta që i janë adresuar gjyqësorit edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev, kërkoi nga dy kryetaret e sapozgjedhura që dhanë betimin solemn, Meri Dika Gerogievska në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe Snezhana Manev në Gjykatën e Kumanovës, punë me përkushtim që do ta rrisë besimin në gjyqësor dhe të ndryshohet perceptimi për këtë sektor.
“Pres rezultate evidente. Dua të theksoj para Këshillit dhe para jush se të jesh kryetarë gjykate në një periudhe ku ka shumë kritika për punën tonë si gjyqësor ndërsa unë nga ju si gjykatëse me përvojë pres që në masë të madhe të kthehet besimi dhe t’i tregojmë publikut se nuk është gjithmonë ashtu siç paraqitemi nga të tjerët.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev.
Raporti i progresit i KE-së: Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor, pa qëndrim
Raporti i progresit nga KE-ja, konstatoi se Maqedonia e Veriut nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës raportuese dhe se Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. U tha se shkarkimi i diskutueshëm i kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik. Nuk mbetën pa u përmendur edhe vonesat dhe anulimet në gjykimet e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë, duke rezultuar në vjetërsimin e tyre. Lidhur me vërejtjet dhe kritikat adresuar gjyqësorit, edhe pse të kontaktuar nga TVM 2, Këshilli Gjyqësor e as Ministria e Drejtësisë akoma nuk janë prononcuar. Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar formimin e një grupi të punës të përbërë nga ekspertë, për reforma në Këshillin Gjyqësor.
FLORIJE KAMBERI
