Maqedoni
Këshilli i ambasadorëve për raportin: Vendi s’ka alternativë tjetër veç BE-së
13.11.2023 15:20
Anëtarësimi në BE nuk ka alternativë, është e nevojshme që të gjithë aktorët politikë t'i qasen me përgjegjësi agjendës së reformave...

Anëtarësimi në BE nuk ka alternativë, është e nevojshme që të gjithë aktorët politikë t'i qasen me përgjegjësi agjendës së reformave, rekomandojnë nga Këshilli i Ambasadorëve me rastin e raportit të KE-së për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023. Këshilli i Ambasadorëve mirëpret përparimin e shënuar në zbatimin e procesit të skriningut dhe shpresojnë që deri në fund të vitit 2023 me dinamikën e njëjtë do të zhvillohet skriningu edhe kapitujt 5 dhe 6. Nga Këshilli thonë se po ndjekin me kujdes indikacionet e KE-së për nevojën e intensifikimit të aktiviteteve për të ecur përpara në procesin e negociatave dhe përmbajtjen e autoriteteve nga miratimi i masave ad hoc, të cilat nuk janë në përputhje me të drejtat dhe detyrimet kryesore të BE-së dhe standardet evropiane.
“Veçanërisht shqetësuese është situata e polarizuar politike në Maqedoni, e cila ka ndikim negativ në funksionimin e institucioneve demokratike. Negociatat e anëtarësimit kërkojnë një konsensus të gjerë politik dhe bashkëpunim të Qeverisë dhe opozitës, të shprehur përmes një debati politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në Kuvend, me qëllim miratimin në kohë dhe zbatimin e shpejtë të përpjekjeve kyçe reformuese. Polarizimi i thellë politik nuk e favorizon këtë proces.”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Ambasadorëve.
Shqetësimi për polarizimin politik
Për të përshpejtuar procesin e miratimit të reformave të BE-së, Këshilli mendon se është e nevojshme të "ringjallet" dhe të intensifikohen aktivitetet e Këshillit Kombëtar për Integrim në BE. Këshilli shpreh shqetësim edhe për vërejtjet për Gjyqësorin, Prokurorinë dhe luftën kundër korrupsionit.
“Zbatim i menjëhershëm dhe konsistent i rekomandimeve nga Raporti që i referohen aktiviteteve të intensifikuara në sektorët më të ndjeshëm ndaj korrupsionit nëpërmjet vlerësimit të rrezikut, zbatimit të forcuar të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe zbatimit të duhur të rekomandimeve të GRECO-s dhe forcimin e kapaciteteve të PThP-së për krimin e organizuar, në lidhje me hetimet, ndjekjet penale, aktvendimet përfundimtare, zbatimin duke përfshirë edhe konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë kriminale.”
Këshilli i Ambasadorëve vë në dukje edhe vërejtjen për mosmiratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, ndërsa konsideron se anëtarësimi në BE nuk është me rëndësi strategjike vetëm për vendin, por edhe çështje sigurie për të gjithë rajonin.
SANIJE DURAKU
