Maqedoni

Lidhja Evropiane për Ndryshim, tre partitë formojnë grupin parlamentar

13.11.2023 15:37

Fronti opozitar shqiptar bashkon forcat edhe në Kuvend, në një grup parlamentar me gjashtë deputetë...

Fronti opozitar shqiptar bashkon forcat edhe në Kuvend, në një grup parlamentar me gjashtë deputetë, tre nga Lëvizja Demokratike në krye me Izet Mexhitin, dy nga Alternativa dhe një nga Lëvizja “Besa”. Grupi i ri parlamentar, në krye me deputeten e Alternativës, Safije Sadiku Shahini, u zotua se do t’i japë shtytje proceseve që kanë të bëjnë me ardhmërinë evropiane të vendit. Dërguan apel edhe tek kryeparlamentari, Xhaferi, për përfshirje në KShZ.
 
“I bëjmë thirrje edhe njëherë kryetarit të Kuvendit, zotit Talat Xhaferi, të mos zvarrisë zgjedhjen e anëtarit të KShZ-së, që i takon opozitës, sepse kjo e bën bashkëfajtor për mosrespektimin e kodit zgjedhor. Ne jemi të vendosur që ta bëjmë këtë betejë deri në çlirimin e plotë të shqiptarëve nga regjimi i BDI-së dhe i çirakëve të tyre.”, - deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. 
 
Jashtë frontit mbetet deputeti Hysni Ismaili, i cili formoi fraksion nga Alternativa, parti kjo e cila s’do ta kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së tij si nënkryetar parlamenti.
 
“Nuk e kemi problemin te posti, e kemi problemin te zgjedhjet e ardhshme, te fitorja dhe dëgjimi i zërit të popullit, te bashkimi i opozitës, te ftesa që të na bashkohen sa më shumë njerëz, individë, parti e kështu me radhë, postet le t’i mbajnë dhe le t’i gëzojnë edhe pesë, gjashtë muaj, pastaj vjen populli edhe e bën ndryshimin.”, - theksoi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
 
Fronti opozitar fton edhe deputetë të tjerë, përfshirë edhe ASh-në që t’u bashkëngjitet, pasi konsiderojnë se ka vend të mjaftueshëm në opozitë për të vepruar kundër pushtetit LSDM – BDI.
 
“Elektorati i ASh-së është opozitar dhe është ngritur me narrativen antiqeveri dhe mendoj se elektorati do të dijë të dëgjojë strukturat e tyre, përndryshe do të shkojnë si subjekt, për shkak se preteksti i fundit është se kanë hyrë në Qeveri për t’i bërë ndryshimet kushtetuese dhe nuk po ndodhin ndryshimet kushtetuese, por në resorin e tij ndodh ndryshimi i Kodit Penal.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti. 
 
Opozita shqiptare shprehet e hapur të kyçet në grupet e punës që pritet të formohen sa i takon caktimit të datës së zgjedhjeve, edhe pse sot në koordinim tek kryeparlamentari Talat Xhaferi, nuk është shtjelluar detajisht kjo temë, me arsyetimin se u mbetet partive të koordinohen, duke pasur parasysh edhe afatet e rregullta të cikleve zgjedhore.
 
MERAL ISMAILI