Maqedoni

Digjet një shtëpi në Gazi Babë të Shkupit, familja 16 anëtarëshe mbetet pa kulm mbi kokë

17.03.2015 14:54

Dita e enjte e javës së kaluar ka qenë e kobshme për familjen Osmani nga lagja e Gazi Babës, pasi kjo familje 16 anëtarëshe ka mbetur pa kulm mbi kokë...

Siç thotë kryefamiljari, Nazim Osmani, shtëpia tredhomëshe e kësaj familje, me gjithçka që kishin, u shkrumbua nga zjarri, nga i cili nuk kanë mundur të shpëtojnë as rreth 8 mijë euro që posedonin si familje.
 
Ai thekson se shkaktar i zjarrit është instalimi i rrjetit elektrik, i cili në këtë lagje shpesh është shkaktar i përfshirjes së shtëpive nga zjarri.
 
Por pa marrë parasysh shkaqet, pasojat janë të dukshme, thekson Osmani, i cili bën të ditur se anëtarët e kësaj familje aktualisht janë shpërndarë tek të afërmit dhe shpresojnë në ndihmën e bamirësve që të mund të sigurojnë kulm mbi kokë, pasi vetë nuk kanë mundësi ta bëjnë atë.
 
“Ka qenë reja këtu me bebe pesëmuajshe edhe vajza ime tu’ nejt këtu, këtu ka qenë qymeti me dru i kallt dhe s’kanë mundur ta vërejnë menjëherë arën e kabllave, kanë menduar se druri po bën erë, por komshinjtë e kanë diktuar dhe kanë thënë more po vjen era këtu dhe menjëherë kur e kanë parë flakën, fëmijët kanë qenë këtu, vetëm fëmijët i kanë kapë, aty e kam pas kredenecin edhe do pare i kam pas edhe ato shkuan, pllafoni kishte ra. Djali i ka pasur 8 mijë euro. Me ta thënë të drejtën mendoja diçka me bë, se shumë ngushtë këtu, s’kemi pasur assesi mundësi. Po krejt kanë shku, bile shoqja edhe 5 lira që i ka pasur atje, por dikush po thotë se nuk digjen, po ama temperaturë e madhem ndoshta është shkri”- u shpreh kryefamiljari, Nazim Osmani. 
 
Nazimi thotë se tani si asnjëherë më parë kjo familje ka nevojë për ndihmë, pasi nga zjarri i shkaktuar nuk u ka mbetur asgjë. 
 
“Sikur po më shihni kështu jam, asgjë tjetër nuk kam. Krejt 4 kamionë janë mbushur me tesha çka i kemi pasur për fëmijë, krejt i kemi hedhur me kamion. Asgjë nuk kemi, as qebe as hiq asgjë”- tha Osmani.        
                                                        
Familja Osmani jeton në lagjen e Gazi Babës, në rrugën “Jajce 121” dhe thonë se deri më tani nuk i kanë ofruar ndihmë askush përveç një fqinji, i cili ka premtuar se do t’i sigurojë mjeshtrit dhe dërrasat për renovimin e shtëpisë, por nëse Nazimi arrin t’i sigurojë materialet e tjera të nevojshme që kjo familje sërish të mund t’i gëzohet shtëpisë së tyre.
 
GYLTENE SINANI