Maqedoni

Zgjedhjet, pushteti, për të ndara; opozita, për të përbashkëta

13.11.2023 16:12

Partitë politike ende nuk kanë filluar bisedimet në lidhje me formimin e grupeve punuese...

Partitë politike ende nuk kanë filluar bisedimet në lidhje me formimin e grupeve punuese, që do të merren vesh për datat e zgjedhjeve.  Ndonëse askush deri më tani nuk ka treguar nismë për marrëveshje, të dyja palët nuk devijojnë nga qëndrimet e tyre, Qeveria për zgjedhje të ndara, opozita për zgjedhje të përbashkëta.
 
“Zgjedhjet do të mbahen në kohë të rregullt. Është normale që si një parti serioze politike që pretendon të fitojë mandatet për katër vitet e ardhshme (2024-2028) dhe sa po flasim, jemi në pritje dhe shpresoj që të dalim me kandidatët më të mirë të mundshëm dhe ai të fitojë.”, - deklaroi Martin Kostovski nga LSDM-ja. 
 
“Kovaçevski duhet ta kapërcejë egon e tij dhe edhe një herë të tregojë qasje shtetërore, gjegjësisht kapacitet dhe të pajtohet në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që të shkojnë në zgjedhje të përbashkëta presidenciale dhe parlamentare. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe duam të respektojmë dispozitat ligjore dhe kushtetuese të parashikuara për zgjedhjet.”, - theksoi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja.  
 
Përderisa partitë politike temë debati kanë zgjedhjet e ardhshme, opozita shqiptare vlerëson se pushteti e ka harruar temën e ndryshimeve kushtetuese dhe është e fokusuar në zgjedhjet. 
 
“Jemi skeptik, tani më edhe nuk i dëgjojmë të flasin për ndryshimet kushtetuese. Domethënë tash janë të fokusuar te akrobacionet politike se si të mbijetojnë në skenën politike. Këto nuk e kanë mendjen as te interesi i qytetarit, as te interesat strategjike të shtetit, as te ndryshimet kushtetuese, këto e kanë të vetmin qëllim-mbijetesën politike.”, - u shpreh kryetari i LD-së, Izet Mexhiti. 
 
Përndryshe kryetari i Kuvendit i ka lënë partive afat për të rënë dakord për datën e zgjedhjeve deri në Vitin e Ri, në të kundërt tha se zgjedhjet do t'i shpallë vetë sipas Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës.
 
ERSAN PAJAZITI