Maqedoni
DAP: 700 kompani s’kanë paguar paga për 2023
13.11.2023 16:33
700 kompani nga fillimi i vitit e deri në muajin nëntor nuk kanë paguar paga për punëtorët...

700 kompani nga fillimi i vitit e deri në muajin nëntor nuk kanë paguar paga për punëtorët, njofton drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sonja Llukarevska, në intervistën e dhënë për Televizionin e Maqedonisë. Ajo shton se do të propozojë që përveç emrave të atyre që nuk paguajnë tatim, të publikohen edhe emrat e kompanive që nuk paguajnë paga për punëtorët.
“Sipas analizave tona, 700 kompani nuk kanë paguar paga që nga fillimi i vitit. Do të insistoj së bashku me grupin e punës në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, në ligjin e ri për procedurë tatimore të kemi detyrim ligjor, ashtu siç publikojmë listën e personave që kanë borxh, të publikojmë edhe kompanitë që nuk kanë paguar paga. Opinioni duhet të njoftohet se me çfarë punëdhënës funksionon shoqëria.”, - deklaroi drejtoresha e të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska.
DAP: Nga tatimi solidar presim edhe 644 milion denarë
Sa i përket mospagesës së tatimit solidar, Llukareveska shton se janë 20 kompani që nuk kanë shlyer obligimin tatimor dhe janë në pritje të pagesave, me qëllim që pastaj të njëjtat mjete të shpërndahen për masat antikrizë.
“Mungojnë edhe 644 milion denarë nga 20 kompani dhe besoj se në periudhën e ardhshme me të gjithë do të bisedojmë në mënyrë personale që të shohim se si mund t’u lehtësojmë mënyrën për shlyerjen e këtij obligimi. Gjithsesi se këtu e kemi edhe iniciativën nga ana e komunitetit të biznesit të Gjykatës Kushtetuese dhe ne do ta presim rezultatin dhe në bazë të atij rezultati do të shohim se si do të veprojmë.”, - theksoi drejtoresha në DAP, Sanja Llukarevska.
Në listën e fundit të borxhlinjve të publikuar nga DAP-i, persona fizik dhe juridik kanë detyrime të papaguara në vlerë prej 147,4 milionë euro, në mesin e të cilave është edhe kompania e djalit të ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijalkov, me borxh prej 2 milion euro.
GAZMEND KURTISHI
