Maqedoni
Takohet rrjeti i ekspertëve të OSBE-së, Osmani: Angazhimi kolektiv kundër rreziqeve
13.11.2023 17:17
OSBE-ja nuk mund të veprojë e vetme përballë kërcënimeve aktuale...

OSBE-ja nuk mund të veprojë e vetme përballë kërcënimeve aktuale, andaj kërkon bashkëpunimin me organizatat e pavarura, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e larta të sigurisë, thotë drejtuesi i OSBE-së, Bujar Osmani. Sipas tij, dinamikat aktuale kërkojnë qasje dhe angazhim shumëpalësh, në mënyrë që të arrihet strategjia. Të njëjtin mendim e ndan edhe sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid.
“Ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi që të implementojmë të gjithë qasjen e përgjithshme në të gjitha proceset e OSBE-së. Do të adresojmë dinamikën në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim. Do të reflektojmë për rolin e rëndësishëm që luan OSBE-ja dhe “tink–tenkët” që ndajnë politika relevante. Duhet të nxisim angazhimin kolektiv në adresimin e rreziqeve të ndryshme. Edhe politikanët, edhe diplomatët nuk mund të punojnë vetë. Besoj fuqishëm se përfshirja e “tink-tenkëve” - këto organizata të pavarura, ndikojnë në lëvizjen e strategjisë.”, - deklaroi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani.
Shmid: Siguria do përgjigje shumëdimensionale
“Siguria nuk është vetëm njëdimensionale, është multidimensionale, që do të thotë përgjigjet të jenë shumë dimensionale dhe kjo është ajo që e bëjmë me misionet tona, institucionet tona dhe me sekretariatin në Vjenë. Përkundër vështirësive që i kemi, realiteti është se ne kemi sukses, që do të jetë për rajonin prej 1,3 miliardë njerëz të OSBE-së.”, - theksoi sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid.
Këto komente u thanë në takimin e rrjetit të ekspertëve të OSBE-së, të cilët në diskutim dyditor do të shqyrtojnë trendet e shumta dhe dinamikën në bashkëpunimin e sigurisë në Evropë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
