Botë
Siri, Davutoglu Assadin e krahason me Hitlerin
17.03.2015 15:01
Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se negocimi me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad...

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se negocimi me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, do të ishte njëjtë sikur shtrëngimi i duarve me Adolf Hitlerin.
“Marrë parasysh të gjitha masakrat, marrë parasysh përdorimin e armëve kimike, me të cilat ka kaluar vijën e kuqe, nëse ju shtrëngoni duart me Assadin, ai shtrëngim do të mbahet mend gjatë gjithë historisë”- ka thënë Davutoglu.
“Nuk ka asnjë dallim midis shtrëngimit të duarve me Assadin apo Hitlerin, Saddamin, Karaxhiqin e Millosheviqin”- ka shtuar ai.
Shtetet e Bashkuara thonë se kurrë nuk do të zhvillojnë negociata direkte me liderin e Sirisë, Bashar al-Assad, për zgjidhjen e konfliktit në Siri. Këto komente të zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, mbrëmë në Uashington u bënë një ditë pasi sekretari i shtetit, John Kerry, ka sugjeruar se mund të ketë vend për Assadin në kuadër të arritjes së zgjidhjes diplomatike për ndaljen e luftës civile në Siri. Zëdhënësja Psaki, më tutje, ka theksuar se Uashingtoni “e ka pranuar nevojën që përfaqësuesit e qeverisë së Assadit të marrin pjesë në çfarëdo negociata, por atje kurrë nuk do të jetë vetë Assadi”.
Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se prioritet i lartë në Siri është lufta kundër grupit ekstremist, “Shtetit Islamik”.
Ndryshe, Turqia mbështet fuqishëm opozitën e moderuar siriane dhe kërkon largimin e Assadit nga pushteti. Konflikti civil në Siri ka nisur qysh në mars të vitit 2011 dhe prej atëherë kanë humbur jetën mbi 215,000 persona.
LEUNORA KALIQI
