Botë

Izraeli bombardon spitale dhe objekte banimi, Bajden: Spitalet duhet të mbrohen

14.11.2023 13:50

Bombardimet izraelite mbi objektet infrastrukturore vazhdojnë për të 39-ën ditë me radhë...

Bombardimet izraelite mbi objektet infrastrukturore vazhdojnë për të 39-ën ditë me radhë. Spitali “Al-Shifa” përsëri ishte shënjestër e sulmeve, gjithashtu 12 shtëpi u shkatërruan në Gazën Veriore. Raportohet për dhjetëra viktima, por numri i saktë akoma nuk dihet pasi kërkimet për personat e mbetur nën rrënoja vazhdojnë. Presidenti amerikan, Xho Bajden, ka deklaruar se spitali kryesor “Al-Shifa” i Rripit të Gazës “duhet të mbrohet” dhe se ai shpreson për “më pak veprime ndërhyrëse” nga Izraeli, derisa pushtimi i tij tokësor i afrohet objektit.
 
“E po, siç e dimë, nuk kam hezituar të shpreh shqetësimet e mia për atë që po ndodhë. Shpresa dhe pritja ime është që të ketë më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalet dhe ne do të mbetemi në kontakt me izraelitët. Spitalet duhet të mbrohen.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
 
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Xhejk Sullivan, tha se Uashingtoni dëshiron “t’i shohë pacientët të mbrojtur”.
 
“Ne duam t’i shohim spitalet e mbrojtura. Ne kemi folur me qeverinë izraelite për këtë dhe ata kanë thënë se ndajnë atë pikëpamje se nuk duan të shohin zjarre në spitale. Spitalet duhet të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë efektive, në mënyrë që të mund t’u jepet kujdes mjekësor pacientëve.”, - theksoi këshilltari i Sigurisë Kombëtare – Uashington, Xhejk Sullivan. 
 
Borrell: Politika e komunitetit ndërkombëtar ka dështuar
 
Ndërsa përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështje të lartë dhe siguri, Josef Borrell, tha se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar politikisht në zgjidhjen e problemit mes Izraelit dhe Palestinës.
 
“Kjo krizë dramatike që po jetojmë dhe kostoja e saj tepër e lartë për sa i përket jetëve njerëzore të të dyja palëve, tregon se ka një dështim politik dhe moral në komunitetin ndërkombëtar. Ne nuk kemi arritur të gjejmë një zgjidhje për këtë situatë. BE-ja duhet të përfshihet në rajon, sidomos në ndërtimin e një shteti palestinez. Nuk jemi përfshirë, pasi ia kemi deleguar zgjidhjen e këtij problemi ShBA-së, por tani Evropa duhet të përfshihet më shumë dhe të angazhohemi për këtë proces, sepse nëse nuk e bëjmë, dhuna do të përhapet.”, - u shpreh përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josef Borrell. 
 
Derisa sulmi izraelit në Rripin e Gazës hyri në ditën e 39-të, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze, të paktën 11,200 palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 7,700 fëmijë dhe gra, si dhe mbi 28,200 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është gati 1,500.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU