Maqedoni
Shmangia e infeksioneve tek foshnjat, Memedi: Pediatri ta ndjekë procesin e shtatzënisë
14.11.2023 14:14
Ditë më parë një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë në Klinikën e fëmijëve në Shkup...

Ditë më parë një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë në Klinikën e fëmijëve në Shkup, pasi ishte sjellë nga spitali i Prilepit, e prekur nga sepsa. Ky rast është alarm i mjaftueshëm për të analizuar se çfarë mund t’i shkaktojë sëmundjet vdekjeprurëse te foshnjat e porsalindura, pakujdesi mjekësor, kushtet jo të mira spitalore apo diçka tjetër!?
Pediatri Rexhep Memedi thekson se që nga momenti i shtatzënisë është me rëndësi përcjellja nga ana e pediatrit të foshnjës në aspekt të pasqyrës klinike dhe eventualisht analiza laboratorike, të cilat vërtetojnë një infeksion të mundshëm.
“Sepsa është infeksion i përgjithshëm i foshnjave që nënkupton prezencën e baktereve në gjak dhe kryesisht faktorë janë bakteret si faktorë etiologjik, grupi B e streptokokeve dhe Esheria Koli, të cilat 80 për qind të rasteve janë shkaktues të sepsës dhe është një gjendje serioze që paraqitet në 3 ditët e para të pas lindjes ose sepsa e hershme mund të paraqitet edhe gjatë muajit të parë të foshnjës që e quajmë si sepsa e vonshme.”, - deklaroi pediatri në Klinikën e fëmijëve, Rexhep Memedi.
Memedi: Përveç sepsës, edhe sëmundje tjera të rrezikshme
Memedi thekson se përveç sepsës kemi edhe sëmundje tjera të rrezikshme tek foshnjat, por zbulimi në kohë i sëmundjes në shumicën e rasteve kalojnë me rezultate shumë të mira dhe pa ndonjë pasojë serioze.
“Kemi pneumoni, ndezje të mushkërive dhe si komplikim më serioz është edhe meningjiti - ndezje e pëlhurës së trurit dhe këto janë raste më serioze të cilat mund të shkaktojnë pasoja serioze, prandaj analizat laboratorike dhe pasqyra klinike janë ato të cilat duhet ne me kohë t’i vlerësojmë dhe me kohë të zbulojmë infeksion eventual, në bazë të të cilit edhe do të vazhdojmë trajtimin adekuat.”, - theksoi pediatri në Klinikën e fëmijëve, Rexhep Memedi.
Sipas të dhënave të IShP-së, viteve të fundit është ulur numri i vdekjeve të foshnjave të porsalindura. Në vitin 2021, kanë ndërruar jetë 58 foshnje. Në vitin 2022 kanë vdekur 321 nga 1,000 lindje të foshnjave të gjalla nën 1 vjeç, ndërsa krahasuar me një dekadë më herët, përkatësisht në vitin 2013, niveli i vdekshmërisë ka qenë 10,24 për qind.
VLORA LATIFI TOPOJANI
