Ekonomi

Konferenca “E – Komerc”: Pa tregti elektronike s’ka rritje të bizneseve

14.11.2023 14:33

"Ripërcaktimi i tregtisë elektronike me inteligjencë artificiale" është moto e Konferencës së Gjashtë Vjetore...

"Ripërcaktimi i tregtisë elektronike me inteligjencë artificiale" është moto e Konferencës së Gjashtë Vjetore për “E-Komerc”, e cila është në edicionin e dytë rajonal. Ashtu siç nuk ka rritje të bizneseve pa tregtinë elektronike, nuk ka rritje të tregtisë elektronike pa inteligjencë artificiale. Konferencën e hapi presidenti, Stevo Pendarovski, i cili në fjalimin e tij theksoi se falë inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital, tregtia elektronike po merr përmasa të mëdha. Për të përballuar këto sfida, shteti duhet të krijojë besim në këtë sektor duke luftuar krimin kibernetik dhe duke garantuar sigurinë kibernetike në treg.
 
“Sfida e parë është fakti se inovacioni teknologjik shpesh tejkalon rregulloren dhe hap hapësirë për abuzime të ndryshme, nga dezinformimi te krimi kibernetik dhe sulmet kibernetike. Për shkak të frikës nga mashtrimi, disa konsumatorë janë ende mosbesues ndaj tregtisë në internet. Sfida e dytë është rreziku i rritjes së papunësisë dhe pabarazisë sociale, veçanërisht për shkak të ndarjes digjitale dhe nivelit të ulët të shkrim-leximit digjital. Sfida e tretë është demografike. Brezi i ri digjital ka një rol kyç në tregtinë elektronike. Të rinjtë jo vetëm ndjekin, por krijojnë edhe tendencat kryesore digjitale nga të cilat varet rritja ekonomike. Por këtu qëndron problemi ynë kryesor.”, - deklaroi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Kryetarja e shoqatës për “E-Komerc”, Nina Angellovska, thotë se  fokusi i konferencës është tek inteligjenca artificiale, e cila po ripërcakton tregtinë elektronike dhe po e çon atë në një nivel tjetër. Të gjitha vendet nga Ballkani Perëndimor janë të ngjashëm kur bëhet fjalë për zhvillimin e tregtisë elektronike, kemi shumë karakteristika të përbashkëta, disa vende janë më të mira se të tjerat, por të gjitha renditen më të ulëtat në krahasim me vendet evropiane, ndërsa disa lëvizin më shpejt dhe disa më ngadalë. Sipas përdorimit të internetit, maqedonasit me 88% së bashku me malazezët janë më të mirët nga vendet e Ballkanit. Kur bëhet fjalë për blerjet onlajn, serbët janë më të mirët me 63,5% të përdoruesve të internetit, maqedonasit 49,5% dhe malazezët më së paku.
 
GAZMEND REXHEPI