Maqedoni
Raporti i progresit: KShPK: U vlerësuam pozitivisht, të zbatohen rekomandimet
14.11.2023 14:49
Të gjitha iniciativat dhe rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit...

Të gjitha iniciativat dhe rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të cilat nuk u zbatuan nga institucionet kompetente, u pasqyruan si kritika dhe vërejtje në raport progresin e KE-së për vendin. Kështu vlerëson kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanova, sipas së cilës ky raport inkurajon që edhe më tej që Komisioni të vazhdojë intensitetin e punës, që sipas saj u vlerësua me notë pozitive. Që shteti të ecë përpara është e nevojshme të implementohen rekomandimet dhe të lihen anash interesat personale dhe luftimet e përditshme politike.
“Vlerësimi është pozitiv, ata na inkurajojnë edhe më tej të vazhdojmë të hapim raste për funksionarë të lartë me atë që rekomandimi i tyre është që të vazhdohet me rritjen e kapacitetit të komisionit dhe zbatimin e rekomandimeve, që i jep komisioni. Problemi më i madh me të cilin u ballafaquam në këtë periudhë 5 vjeçare ishte ajo se institucionet, personat përgjegjës dhe të tjerët që janë cekur në rekomandimet tona, nuk i zbatojnë ato, nuk i respektojnë iniciativat dhe për këtë arsye edhe vlerësimet e KE-së i kishim ashtu. Duhet të lirohemi nga ato korniza të interesave personale, manifestimit të pushtetit etj. Kjo vetëm se e kthen shtetin prapa, çdo ditë jemi dëshmitarë të luftimeve politike.”, - deklaroi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanova.
Në raport-progresin e KE-së për vendin, situata me luftën kundër korrupsionit është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese. Për KE-në shqetësim paraqesin edhe anulimet në gjykimet e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë që kohëve të fundit shënuan trend të rritjes. Ndërsa me ndryshimet e Kodit Penal u reduktuan dënimet maksimale ligjore për vepra penale specifike të lidhura me korrupsionin.
FLORIJE KAMBERI
