“Euro 2024”, Shqipëria përgatitet për dy finalet e mëdha

14.11.2023 15:04

Kombëtarja shqiptare ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet “finale”, të Eliminatoreve të Evropianit “Gjermani 2024”...

Kombëtarja shqiptare ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet “finale”, të Eliminatoreve të Evropianit “Gjermani 2024”, atë ndaj Moldavisë dhe atë Ishujve Faroe. Synimi i vetëm i kombëtares shqiptare është arritja e objektivit madhor, kualifikimi në ndeshjet përfundimtare të “EURO 2024“. Futbollistët e kombëtares, duan që nga ndeshja e parë të sigurojnë vizën për në Gjermani dhe për ta kthyer në festë ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe në “Air Albania“.
 
“Normal që janë dy finale, por duhet të mendojmë për Moldavinë. Është një skuadër shumë e fortë për momentin. Ne duhet të shkojmë atje për të mos humbur, sepse edhe një pikë mund të na nevojitet dhe jemi të kualifikuar, por do ishte bukur të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve për Kombëtaren.”, tha Elseid Hysaj, futbollist i Shqipërisë.
 
"Presioni nuk ndikon, jemi shumë të qetë dhe gati për ndeshjet. Në letër jemi ne më të avantzhuar, por në fushë nuk do jetë kështu. Jemi këtu me meritë dhe kemi derdhur djersë për këtë ditë. Kemi respekt për kundërshtarin, por shkojmë për tri pikë.", tha Etrit Berisha, portier i Shqipërisë.
 
Pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara në Grupin “E”, kombëtarja shqiptare me 13 pikë mban pozitën e parë dhe nga dy deshjet e fundit i nevojitet një pikë për kualifikimin në “EURO 2024”. Pas saj janë Çekia me 11 dhe Polonia me 10 pikë. Moldavia ka 9 pikë, ndërsa Ishujt Faroe kanë 1 pikë.