Botë
Lajçak në Beograd, pas dy ditësh vazhdon dialogu në Bruksel
14.11.2023 15:34
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak..

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Në njoftimin për media nga zyra e presidentit serb theksojnë se Vuçiqi ka thënë se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog, për të respektuar gjithçka që është nënshkruar dhe rënë dakord. Vuçiqi ka ripërsëritur se Serbia angazhohet për deeskalim, paqe dhe stabilitet, të cilat janë të nevojshme për të siguruar mbijetesën e serbëve në Kosovë.
“Gjatë takimit të sotëm, Vuçiqi ka insistuar në formimin e Asociacionit dhe janë diskutuar tema të tjera të rëndësishme në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.”, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.
Ndërkohë, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka njoftuar se në Bruksel pas dy ditësh do të diskutohet për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti: Serbia është vënë pas veriut të Kosovës
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ORF-në austriake ka deklaruar se Serbia po sillet sikur një “Rusi e vogël”.
“Serbia e di që s’mund ta ketë të gjithë Kosovën, por janë vënë pas veriut, ku shumica e strukturave ilegale janë prezentë për më shumë se 24 vite që nga përfundimi i luftës. Serbia nuk dëshiron paqe, nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe BE, por dëshiron ta destabilizojë vendin tonë dhe të marrë territor që ta kompensojë humbjen e luftërave.”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
GYLTENE SINANI
