Maqedoni

Qeveri, u hap manifestimi “Ditët e alfabetit”

14.11.2023 16:00

Në sallën solemne të Qeverisë së vendit u bë sot hapja e manifestimit “Ditët e alfabetit”...

Në sallën solemne të Qeverisë së vendit u bë sot hapja e manifestimit “Ditët e alfabetit”, një takim që mëtoi të bëjë bashkë për herë të parë Akademitë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut,  Kosovës dhe Shqipërisë.
 
Diskutimi vendosi në fokus, rëndësinë e Alfabetit në përcaktimin identitar dhe në orientimin ideologjik të shqiptarëve, sfidat aktuale të gjuhës shqipe dhe idetë e përbashkët të tre vendeve në shërbim të standardizimit, si mjet për  forcimin e identitetit të përbashkët gjuhësor dhe kombëtar, në një hapësirë gjithnjë e më të madhe folësish. 
 
“Ne nuk jemi duke e bërë gjuhën tonë sa duhet.  Nëse dikur është dashur të kemi një qendër për gjuhën angleze që gjeneratave që vinin t’ua mësojmë gjuhën angleze, sot kemi nevojë për të kundërtën, që atë qendër të gjuhës angleze ta shndërrojmë në qendër të gjuhës shqipe, sepse gjeneratat që po na vijnë, kanë pengesë, jo në folurit e shqipes, por në të shkruarit e saj.”, - deklaroi përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Abdylmenaf Bexheti.
 
“Në një botë ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura më të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe, lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla.”, - theksoi nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Vasil Tole.
 
“Kongresi i Manastirit është ngjarje e shënuar për krejt popujt e Ballkanit, është ngjarje e shënuar edhe për Evropën dhe popujt e bashkuar, sepse aty janë vendosur themelet e përcaktimit evropian të shqiptarëve, e përcaktimit të tyre identitar perëndimor dhe përkatësia evropiane e shqiptarëve ka vlerë sa për vet shqiptarët, po aq edhe për popujt e tjerë të rajonit dhe Evropës.”, - u shpreh kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.
                        
Megjithëse qëllimi i solemnitetit të sotshëm ishte të bëjë bashkë tre akademitë e shkencave në një debat mbi avancimin e gjuhës, akademiku Bexheti shprehu zëshëm indinjatën për mungesën e pranisë së kryetarit të akademisë së shkencave dhe arteve të Maqedonisë së Veriut. 
 
“Akoma kemi institucione të cilët hezitojnë, jo, por pengojnë me paramendim zbatimin dhe praktikimin e gjuhës shqipe. Në këtë aspekt fatkeqësisht institucioni prej unë ku vij i prinë këtij animoziteti, kur unë filloj të flas një fjalë përshëndetëse, bile në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, gjysma e kolegëve e lëshojnë sallën, ky është realiteti.”, - deklaroi përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Abdylmenaf Bexheti. 
 
Manifestimi kulturor dhe shkencor “Ditët e alfabetit” do të vazhdojë itinerarin me akademi shkencore, promovime, takime mes studiuesve, ekspozita dhe koncerte. 
 
“Synimi i Qeverisë, synimi i Ministrisë, i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore të Shqiptarëve, por edhe i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqipe në Maqedoninë e Veriut, është që të hedhim dritë mbi fakte, studime, botime nga sfera e albanologjisë, që dokumentojnë lashtësinë e gjuhës sonë dhe mjeshtërinë e saj.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.  
 
Manifestimi përmbyllet me datën 22 Nëntor, ku pritet dhe prania e presidentit të Shqipërisë në muzeun e Alfabetit. 
 
ARLINDA BAFTIU