Kryeparlamentari bullgar në Shkup, Zheljaskov: Anëtarësimi i RMV-së në BE, pa alternativë

14.11.2023 16:20

Respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoni....

Respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoni me ndryshimet kushtetuese ishte kërkesa e kryetarit të Parlamentit të Bullgarisë, Rosen Zheljaskov, në takimin me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, në Shkup.

Zheljaskovi shpreson se vullneti politik dhe arsyeja do të mbizotërojnë për ndryshimin e Kushtetutës, që këtë vit të nisin bisedimet, pasi sipas tij qëndrimi i Bullgarisë mbetet i palëkundër: Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është pa alternativë. Zheljaskovi shpreson që kjo të bëhet në pako me Shqipërinë.

Zheljaskov: Me ndryshimin e Kushtetutës të nisin bisedimet

“Do të duhet që të kundërshtohet gjuha e urrejtjes dhe garanci për këtë është respektimi i të drejtave të komunitetit bullgar me ç’rast ndryshimi i Kushtetutës është pjesë e kësaj rruge. Për ne me rëndësi është të dihet se për Maqedoninë e Veriut nuk ka alternativë tjetër, përpos BE-së. Ne i kemi borxh popujve tanë një të ardhme të përbashkët evropiane, të qetë, me prosperitet dhe zhvillim. Andaj edhe vizita jonë sot shpreh qëllimet tona më të mira, pasi që angazhimi ynë ka të bëjë me gjeneratat e ardhshme.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Rosen Zheljaskov.

Xhaferi: Bashkëpunim i ndërsjellë për përfitim të përbashkët

Qëndrimi i Bullgarisë nuk dallon nga shumica në Parlament, tha Zheljaskovi, pasi ishte informuar nga kryeparlamentari Xhaferi, se për ndryshimet kushtetuese ende nuk është arritur numri i nevojshëm prej dy të tretave të votave. Sipas Xhaferit, reflektimi i frymës pozitive do të duhet të jetë i ndërsjellë.

“Në drejtim të marrëdhënieve bilaterale u pajtuam se doemos të promovohet retorika pozitive, e cila mund të kontribuojë për ndërtimin e besimit të ndërsjellë për të arritur rezultate që janë konkrete dhe të dukshme për qytetarët. Mundësitë e bashkëpunimit janë të shumta, kurse ne si politikanë të zgjedhur dhe përgjegjës doemos të zotohemi që marrëdhëniet e mira fqinjësore të reflektojnë vlerat e vërteta evropiane, të cilat do të kontribuojnë që RMV-ja të bëhet sa më shpejtë anëtare e BE-së, sepse nga kjo do të ketë përfitim edhe Republika e Bullgarisë.”, - theksoi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Kryeparlamentari Zheljaskov ishte pjesë e hapjes së ekspozitës në muzeun arkeologjik, si vazhdimësi e aktiviteteve të instituteve arkeologjike të të dy vendeve, me shpresën se vizitën e radhës në Shkup do ta shënojë me ndryshimet kushtetuese dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE. (Meral Ismaili, TVM2)