Fëmijët që kërkojnë lëmoshë, Trençevska: Fëmijët, vendin e kanë në shkollë
Udhëkryqet janë vendet ku më së shpeshti mund të takosh fëmijët...

Udhëkryqet janë vendet ku më së shpeshti mund të takosh fëmijët, të cilët zgjatin dorën për të kërkuar lëmoshë nga kalimtarët. Numri i fëmijëve, të cilët mund t’i takosh në rrugë, e jo në bankat e shkollës assesi të zvogëlohet.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Trançevska, bën të ditur se edhe përkundër intervenimit të institucioneve kompetente për të parandaluar këtë fenomen, ata përsëri kthehen në rrugë.
Trençevska bën të qartë se intenca e shtetit nuk është që t’i ndajë ata fëmijë nga prindërit, por të punojë në ngritjen e vetëdijes së prindërve se jo rruga, por institucionet arsimore janë vendi i duhur për fëmijët.
“Po largohen fëmijët nga rrugët, sepse ata mund t’i gjeni në disa vende më të frekuentuara dhe punonjësit e Qendrës për Punë Sociale së bashku me MPB-në, Kryqin e Kuq dhe një pjesë e shoqatave qytetare që punojnë me fëmijët në rrugë janë gjatë gjithë kohës në terren. Megjithatë fëmijët përsëri kthehen në të njëjtën rrugë dhe nuk është qëllimi që t’ua marrim prindërve fëmijët apo t’i dërgojmë në familje kujdestare, por qëllimi është që të punojmë paralelisht edhe me prindërit për ngritjen e vetëdijes se fëmijët vendin e kanë në shkolla në procesin arsimorë dhe jo në rrugë.”, - deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.
Trençevska thotë se periudha më e shpeshtë kur ata mund të shihen në rrugë është periudha e festave dhe vikendeve.
“Protokolli për punë me fëmijët punon dhe ai implementohet. Nuk i shohim vazhdimisht, ka periudha kur dalin në rrugë, sidomos para festave, vikendeve kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve. Jo se është në të njëjtën shkallë si më parë, lypja në rrugë është ulur, sepse funksionojnë qendrat ditore për fëmijët e rrugës.”, - theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.
Sipas të dhënave që TVM2 një muaj më parë ka siguruar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në vitin 2022 janë evidentuar 90 raste të reja të fëmijëve në rrugë, ndërkohë që punohet edhe në 78 raste të mëhershme.
Ndaj 22 prindërve janë lëshuar paralajmërime, 4 fëmijë janë të vendosur në shtëpi të vogla grupore. Se fëmijët keqpërdoren alarmojnë shpesh herë edhe nga Ambasada për fëmijë “Megjashi”.
Sipas të dhënave të tyre, çdo i treti fëmijë është i varfër. Të dhënat e tyre tregojnë se në vendin tonë, numri i fëmijëve që keqpërdoren në forma të ndryshme është prej 1,500 deri 2,000. (Sanije Duraku, TVM2)
