Ekonomi

Qeveria: Propozim-buxheti për vitin 2024, 5,5 miliardë euro

14.11.2023 16:37

Qeveria ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024....

Qeveria ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2024, i cili kap vlerën 5,5 miliardë euro, të hyrat pritet të jenë në vlerë prej 5,04 miliardë euro dhe deficiti buxhetor pritet të jetë 545 milion euro apo 3,4 për qind e BPV-së. Në buxhetin për vitin 2024 është paraparë rritje ekonomike prej 3,4 për qind. Kryeministri Kovaçevski dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, thanë se buxheti për vitin 2024 është një përgjigje e gjendjes aktuale ekonomike, janë të garantuara pagat, pensionet dhe ndihmat sociale. 
 
“Për vitin 2024 rritja ekonomike pritet të jetë 3,4 për qind, ku më së shumti ndikim në këtë rritje pritet të jepni investimet bruto, para se gjithash realizimi i projekteve infrastrukturore të financuara nga Qeveria dhe realizimin e projekteve kapitale.  Gjithashtu ndikim do të ketë dhe ndihma shtetërore për sektorin privat në rritjen e konkurrentshmërisë, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Shkalla e inflacionit për vitin 2024 pritet të jetë 3,6 për qind. Në vitin 2024 pritet rritje e numrit të punësuarve prej 2 për qind që do të ulë shkallën e papunësisë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Ministri Besimi thotë se politikat fiskale dhe shfrytëzimi i parave shtetërore në mënyrë racionale mundësojnë rritjen ekonomike dhe uljen e deficitit buxhetor. 
 
“Projeksionet tona në gjendje krize kanë qenë komplekse dhe janë reviduar më shumë herë. Flasim për buxhet në kohë tê vështira. Vitin e ardhshëm vazhdojmë me projekte reale dhe për vitin e ardhshëm parashikojmë rritje prej 3,4 për qind. Vazhdojmë me politika për të ulur inflacionin dhe për vitin e ardhshëm kemi projektuar inflacion prej 3,6 për qind. Nga strategjia fiskale qê implementojmë për 5 vite ka ndikim në uljen e deficitit dhe uljen e inflacionit. Qëllimet janë rritje ekonomike, konsolidim fiskal dhe përkrahje të atyre që janë goditur më shumë, si dhe të krijojmë ekonomi më të qëndrueshme ndaj krizave. Presim ulje të borxhit publik dhe deficiti të arrijë nën 3 për qind të BPV-së.”, - u shpreh ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
Pas miratimit në Qeveri, propozim-buxheti kalon për shqyrtim dhe miratim në Kuvend. 
 
GAZMEND REXHEPI