Paralelja shqipe në Idrizovë, paralajmërohet marrja e kompetencave

14.11.2023 18:12

Ministri i Arsimit dhe Shkencës...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës paralajmëroi marrjen e kompetencave të kryetarit të komunës së Gazi Babës, në lidhje me menaxhimin e shkollës fillore “Njegosh”.

Ai tha se shumë shpejtë do të emërohet një drejtor i ri, kurse deri në miratimin e të gjitha procedurave për hapjen e paraleles shqipe në këtë shkollë, është rënë dakord që fëmijët deri në fund të gjysmëvjetorit të parë të mësojnë në ndonjë shkollë, të cilën do ta caktojë Ministria e Arsimit.

“Brenda dhjetë ditëve mund të them edhe çështja e drejtorit të ri në shkollën e Njegoshit do të jetë e zgjidhur. Nuk ka të bëjë as me inat individual, nuk ka të bëjë as me ndonjë qëllim tendence, por ka të bëjë me një situatë ku nëse edhe një fëmijë është regjistruar pa vullnetin e prindërve, sot kanë vizituar shkollën, nuk është hapur dera. Janë shumë arsye. Përderisa ti e ke regjistruar dhe nuk e hap derën, nuk e pranon, atëherë është ndër arsyet morale që ti nuk duhet të jesh në këtë institucion.”, - deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

“Tek e fundit, për mos ta humbin fëmijët këtë vit, duhet të na sigurohet një shkollë ku do të mësojnë fëmijët, por me deklaratë të prindërve, pa deklaratë të prindërve nuk pranojmë. Kështu që deri më 21 janar kur fillon gjysmëvjetori i dytë të kemi një zgjidhje konkrete serioze për fëmijët tanë. Nëse jo do të fillojmë me protestat e njëjta dhe kërkesat e njëjta.”, - u shpreh prindi, Rizvan Seferi.

Përndryshe, paraprakisht fëmijët dhe prindërit e Idrizovës shkuan për të hyrë në shkollën “Njegosh”, por u ballafaquan me dyer të mbyllura. Prindërit të shqetësuar thanë se fëmijët e tyre nuk po mund të realizojnë një të drejtë elementare të tyre.

“Fëmija im mos të mund në gjuhën e vet amtare të mësojë në këtë kohë. Kjo është turp, politikën anash, anash prej fëmijëve tanë. Politikë tjetër kund, te fëmijët nuk ka politikë.”, - u shpreh nëna e një nxënësi, Merjeme Sula.

“Objekti shkollor nuk është pronë private e askujt, por është objekt shtetëror që e financon shteti edhe me taksat e shqiptarëve që jepen në buxhet. Neve na shkelen të drejtat elementare për arsim fillor.”, - theksoi nëna e një nxënësi tjetër, Ganimete Sejdiu.

Përndryshe drejtoresha e shkollës, Aneta Cvetkovska, nuk pranoi të prononcohet para kamerave, por tha se arsye për mbylljen e derës është ajo që nxënësit prej klasës së gjashtë mësojnë paradite, e jo në ndërrimin pasdite. (Ersan Pajaziti, TVM2)