Maqedoni

Llajcak: Destabilizim i kanoset Maqedonisë

17.03.2015 15:14

Hetim i paanshëm dhe objektiv është i nevojshëm për t’u zbardhur situata politike në vend dhe nëse kjo nuk ndodh...

Hetim i paanshëm dhe objektiv është i nevojshëm për t’u zbardhur situata politike në vend dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë shtetit i kanoset destabilizim, thuhet në deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosllav Llajcak, i cili shprehu brengosjen e tij të thellë rreth ngjarjeve të fundit në Maqedoni.
 
Sipas Llajcakut, duhet të gjendet zgjidhje e kësaj krize sa më shpejtë dhe se e vërteta për ngjarjet në Maqedoni duhet të zbulohet, përndryshe kjo situatë mund të eskalojë në destabilizim.
 
“Me brengë të madhe i ndjek ngjarjet që ndodhin në Maqedoni, sepse akuzat e prezantuara nga ana e liderit të opozitës janë shumë serioze dhe sepse Maqedonia është shtet kandidat për të hyrë në BE. Mendoj që kjo është një pyetje të cilën duhet ta diskutojnë ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së. Duhet të gjejmë se ku qëndron e vërteta. Ajo është shumë e rëndësishme jo vetëm për ne, po edhe për qytetarët e Maqedonisë. Është i nevojshëm një hetim objektiv dhe i paanshëm”- ka thënë Llajcak.
 
Ai i shmanget bisedës për të folur për destabilizim të shtetit, pasi që mendon se në lidhje me këtë çështje duhet reaguar sa më shpejt, sepse akuzat janë shumë serioze dhe se destabilizimit të shtetit mund t’i iket vetëm nëse gjendet e vërteta rreth Maqedonisë.
 
BESA JASHARI