Maqedoni
Përfaqësimi i drejtë, BDI: përfaqësim adekuat edhe në postet udhëheqëse
17.03.2015 15:29
Ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit në përgjithësi respektojnë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, por jo në të gjitha nivelet...

Nga të gjitha ndërmarrjet nën kompetenca të Qytetit të Shkupit vetëm “Higjiena komunale” respekton përfaqësimin edhe në postet udhëheqëse, por në ndërmarrjet e tjera gjendja lë shumë për të dëshiruar.
Përfaqësimi i shqiptarëve në këto ndërmarrje ishte në rend dite sot në seancën e këshilltarëve të Qytetit të Shkupit, por kjo pikë u shty për diskutim për një ditë tjetër. Nga grupi i këshilltarëve të BDI-së thonë se përfaqësimi i drejtë edhe në postet udhëheqëse duhet të respektohet nga të gjitha ndërmarrjet.
“Në ndërmarrjet publike ku themelues paraqitet Qyteti i Shkupit mund të thuhet se përqindja e shqiptarëve është në nivel të duhur, posaçërisht kur bëhet fjalë në NP “Higjiena Komunale”, por gjithashtu përqindja është solide edhe nëpër ndërmarrjet e tjera dhe ajo është mbi 25 për qind. Sa i përket posteve udhëheqëse, situata është e lakmueshme vetëm në NP “Higjiena Komunale”, ku mund të thuhet se përqindja është në nivel të duhur, mirëpo kjo nuk është në asnjë ndërmarrje publike tjetër. Andaj ne po bëjmë përpjekje për çdo ditë që përqindja e udhëheqësve nëpër sektore, si drejtor teknik apo zëvendësdrejtor të jetë në nivelin e duhur edhe në ndërmarrjet publike tjera”- deklaroi këshilltari i BDI–së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu.
Ndërkohë, me shumicë votash Qyteti i Shkupit pranoi dhe miratoi nismën e këshilltarëve të BDI-së për të ndihmuar Shqipërinë me 600 mijë denarë për t’u përballur me pasojat e përmbytjeve të fundit.
Ndihma drejt Shqipërisë më herët, po me iniciativë të këshilltarëve të BDI-së, u dërgoi edhe Komuna e Kumanovës.
REXHEP QAMILI
