Maqedoni
“Ditët e Alfabetit”, Hasani: Po institucionalizojmë jetën shkencore
15.11.2023 13:58
Shqiptarët e Maqedonisë po institucionalizojnë jetën shkencore dhe veprimtarinë që u ka munguar...

Shqiptarët e Maqedonisë po institucionalizojnë jetën shkencore dhe veprimtarinë që u ka munguar, deklaroi drejtori i ITKSh-së, Skender Asani, në fjalimin e tij në kuadër të Edicionit të pestë të “Ditëve të Alfabetit”.
“Instituti jonë me ditët e alfabetit po kontribuon që shkencat e albanologjisë edhe në trevat e Maqedonisë të dalin në sipërfaqe në mënyrë të argumentuar, sepse jetojmë në shekullin 21 dhe vetëm argumenti i shuan të gjitha tendencat që kanë pasur për qëllim të shfarosin jo vetëm historinë, por edhe qenien shqiptare në këto treva.”, - deklaroi drejtori i ITKSh-së, Skender Asani.
“Ditët e Alfabetit” nderojnë Edi Shukriun: Vepra e saj ka impakt të veçantë në trevat tona
Edi Shukriu, një figurë e rëndësishme e arkeologjisë dhe shtetndërtimit, e cila ka dhënë një kontribut të madh në zbulimin, dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe rajonit u prezantua në kuadër të aktiviteteve kushtuar ditëve të alfabetit. Me këtë rast, Instituti i Historisë në Kosovë, “Ali Hadri”, prezantoi jetën dhe veprën e saj, të një figure emblematike, që edhe ditëve të sotme ka impakt të veçantë në trevat shqipfolëse.
“Ne duhet ta shkruajmë historinë tonë dhe ky takim i sotëm është në kuadër dhe në frymën e asaj që të regjistrojmë, evidentojmë dhe ndriçojmë figurat tona historike, siç ishte Edi dhe ato akademike dhe politike. Edi Shukriu ka kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, shtetndërtimin, për prosperitetin e Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi.”, - theksoi politikania e Kosovës, Edita Tahiri.
“Akademikja Edi Shukriu, me angazhimin në politikë gjatë viteve të 90-ta kontribuoi në shtetndërtimin e Kosovës dhe jetësimin e pavarësisë së saj. Njëkohësisht u angazhua edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivele vendimmarrëse dhe përjetësimin e barazisë gjinore.”, - u shpreh drejtoresha e Institutit “Ali Hadri”, Teuta Shala Peli.
Manifestimi “Ditët e Alfabetit” do të vijojë punimet me prezantimin e botimeve shqip, maqedonisht, anglisht të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut.
ARDITA RAMADANI
