Maqedoni
Qytetarët ankohen për faturat e larta, EVN: Borxhet paguhen pasi printohen faturat
15.11.2023 14:16
Për një borxh të shlyer pesë apo gjashtë ditë me vonesë ndaj kompanisë Elektro Distribuimi EVN...

Për një borxh të shlyer pesë apo gjashtë ditë me vonesë ndaj kompanisë Elektro Distribuimi EVN, qytetari Baki Bakiju ka paguar 4,000 denarë shtesë. Kjo, sipas tij, paraqet zhvatje të qytetarëve pasi pagesa shtesë paraqet 100% të shumës së faturës.
“Si është e mundur për pesë apo gjashtë ditë të vendoset një lloj kamate 100%, prej në 4,000 denarë, prapë në plus 4,034 denarë? Pra, në total është 8,050 denarë. Unë nuk e kuptoj si është e mundur vetëm për shkak se është vonuar pagesa e faturës të vendoset një dënim i tillë? Kur shkova në EVN të pyes, ata ma dhanë këtë përgjigje: “Për shkak të vonesës!”, - theksoi konsumatori, Baki Bakiju.
Ndërsa nga kompania EVN morëm përgjigjen se ”nëse fatura mujore nuk paguhet deri në fund të muajit, atëherë fatura e muajit pasues shtypet dhe shpërndahet me borxhin e mbetur të muajit paraprak, pavarësisht se i njëjti mund të jetë paguar, borxhi figuron në faturë, sepse fatura është shtypur përpara se konsumatori të shlyejë borxhin e mbetur.
“Fatura për të cilën përdoruesi reagon është lëshuar më 31.10.2023, ndërsa përdoruesi ka paguar borxhin më 06.11.2023, që do të thotë se fatura tashmë është lëshuar dhe borxhi është paraqitur, i cili tashmë është paguar dhe nuk do të shfaqet në faturën e radhës.”, thonë nga EVN-ja.
Por, qytetari Bakiju thotë se kjo formë e faturimit të borxheve të paguara, është në dëm të xhepit të qytetarëve, pasi jo gjithsecili shkojnë në filialet e EVN-së për sqarime. Ai njëherit kërkon që EVN-ja, rastet me status të rrezikuar social t’i ndajë në kategori të veçantë, pasi këto familje nuk kanë mundësi të paguajnë faturat mujore, e aq më pak dënimet e shqiptuara.
FARIJE DAUTI BAKIJU
