Maqedoni
“Tularemia”, nëntë raste të konfirmuara, një i dyshuar
17.03.2015 16:29
9 raste të konfirmuara nga sëmundja infektive “Tularemia” dhe një i dyshuar që po trajtohet në Klinikën Infektive...

9 raste të konfirmuara nga sëmundja infektive “Tularemia” dhe një i dyshuar që po trajtohet në Klinikën Infektive janë të dhënat e fundit që sot shpalosi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Ajo që është e rëndësishme është se sëmundja nuk përhapet prej njeriut në njeri, por nga kafshët e infektuara. Sëmundja kryesisht ka filluar të përhapet nga Komuna e Haraçinës dhe fshati Karamanovë, prej ku ka dhe më shumë të infektuar.
Todorov, tha se komunat kanë për obligim të ndërmarrin masa për deratizim dhe dezinsektim të objekteve. Nuk dihet nëse vërshimet kanë të bëjnë me përhapjen e kësaj sëmundje, pasi që në dy fshatrat e lartpërmendura ku ka më shumë të infektuar nuk ka pasur vërshime.
Todorov, tha se ekziston mundësia që sëmundja të përhapet edhe përmes ujit, mirëpo akoma numri i vogël i të prekurve nga kjo sëmundje tani për tani lë anash një mundësi të tillë.
“Gjatë ditës së sotme ka arritur edhe një rast i dyshimtë për të cilin analizat janë në rrjedhojë. Me të dhënat e fundit të përmbyllura nga dita e djeshme kemi të paraqitura gjithsej nëntë raste nga “Tularemia” dhe të gjitha janë të vërtetuara”- tha ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Komisionit për Sëmundje Ngjitëse në bashkëpunim me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari do të ndërmarrin masa plotësuese me qëllim parandalimin e kësaj sëmundje infektive.
Mënyra se si mund të infektohen njerëzit nga kjo sëmundje është kontakti direkt me kafshë, kafshimi nga morrat, rriqrat dhe insekte të tjera, thithja e pluhurit të kontaminuar me bakterien “Tularemia”, pierja apo ngrënia e ushqimit të kontaminuar, si ushqimi i papërpunuar mirë termikisht.
Shumë e rëndësishme në këtë rast është higjiena personale dhe larja e pemëve dhe perimeve para konsumit.
Nga një janari deri më tani, në Klinikën Infektive janë shëruar 7 persona me sëmundjen “Tularemia”. Në Kosovë në muajin shkurt është shpallur epidemi nga “Tularemia”, ku janë paraqitur më shumë së 200 raste me të infektuar.
FLORIJE KAMBERI
