Ndeshja Izrael – Zvicër luhet në një fshat hungarez
15.11.2023 14:33
Ndeshja e shtyrë mes Izraelit dhe Zvicrës do të zhvillohet sot prej orës 20:45 në Felcsut të Hungarisë....

Ndeshja e shtyrë mes Izraelit dhe Zvicrës do të zhvillohet sot prej orës 20:45 në Felcsut të Hungarisë. Kjo ndeshje është dashur të zhvillohet më 12 tetor në Izrael, por u shty për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. UEFA ka zgjedhur fshatin Felcsut si vend ku do të zhvillohet ndeshja. Bëhet fjalë për një fshat më 1800 banorë, 50 kilometra larg Budapestit. Në këtë fshat fëmijërinë e ka kaluar kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Në Felcsut jetojnë disa prej njerëzve më të pasur në Hungari. Nga Felcsuti është klubi Pushkash Akademi, që mban emrin e legjendës Ferenc Pushkash. Klubi është themeluar në vitin 2005 nga Orbani me qëllim të promovimit të lojtarëve të rinj.
Zvicra me fitore ndaj Izraelit siguron biletën për Euro 2024. Zvicra është e dyta në grupin kualifikues me 15 pikë nga shtatë ndeshje. Izraeli është i treti me 11 pikë nga shtatë ndeshje. Udhëheq Rumania me 16 pikë nga tetë ndeshje. Më 18 nëntor, Zvicra e pret Kosovën, ndërsa Izraeli po në Felcsut të Hungarisë takohet me Rumaninë. Më 21 nëntor, Izraeli është mysafir i Andorrës, ndërsa Zvicra është mysafire e Rumanisë.
