Ekonomi

OEMVP: Të realizohen më mirë investimet kapitale

15.11.2023 14:50

Propozim-buxheti për vitin 2024 do të peshojë 5,5 miliard euro ku vetëm për paga në sektorin publik....

Propozim-buxheti për vitin 2024 do të peshojë 5,5 miliard euro ku vetëm për paga në sektorin publik janë paraparë 660 milion euro. Planifikohet të ketë rritje të mjeteve në arsim, shëndetësi, për pensionistët, si dhe vazhdim të subvencionimit të energjisë elektrike. 
 
Qeveria gjithashtu planifikon të shpenzojë rreth 733 milion euro për investimet kapitale, megjithatë gjatë viteve të kaluara, realizimi i tyre nuk është në nivel të duhur, vlerëson Durim Zeqiri nga OEMVP.
 
“Vlerësojmë se si normë është e kënaqshme dhe si numër është i mirë, mirëpo problem është tek realizimi i atyre mjeteve. Ne jemi dëshmitarë se institucionet nuk kanë kapacitete për t’i realizuar projektet dhe mbase jemi të bindur se ndoshta pas kuartalit të parë apo të dytë do të duhet ky buxhet t’i nënshtrohet një rebalance, me qëllim të mbulohen ato pjesë jo të realizuara të buxhetit. Ne si Odë Ekonomike kërkojmë që norma e realizimit të jetë 80% dhe kur them mbi 80% e kam fjalën për programet të investimeve, jo për shpenzimet kapitale, por për investimet kapitale, konkretisht për infrastrukturën rrugore, hekurudhore, ndoshta edhe energjetike.”, - deklaroi drejtori ekzekutiv në OEMVP, Durim Zeqiri. 
 
Baush: Vitin e ardhshëm, vështirë të dilet nga kriza ekonomike
 
Sipas profesorit, Abil Baush, vështirë që vendi vitin e ardhshëm sipas parashikimeve buxhetore të dalë nga kriza ekonomike.
 
“Paraqesim një buxhet zhvillimor dhe japim disa numra shumë optimiste, por që në realitet për të thënë se vitin e ardhshëm në bazë të këtij buxheti do të kemi dalje të mirë nga kriza, është një situatë jo e këndshme. Për arsye se ju bazoheni në rritjen e pagave në një situatë kur kemi inflacion prej 9,6% dhe parametrat ekonomik nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, atëherë shohim se jemi para një situate jashtëzakonisht të rëndë ekonomike në të cilën gjithë viti duhet të jetë dalje nga kriza dhe të kemi rikuperim ekonomik.”, - theksoi eksperti ekonomik, Abil Baush. 
 
Bekteshi: Edhe vitin që vjen vazhdon rritja e pagave
 
Vetëm për rritjen e pagave me këtë propozim-buxhet janë siguruar 160 milion euro shtesë. Ministri Bekteshi paralajmëroi se nga marsi, paga minimale do të jetë 22.500 denarë dhe sipas tij kjo është rezultat I metodologjisë së vendosur nga ana e Qeverisë për pagat.
 
“Ka mungesë të fuqisë punëtore në vendin tonë dhe tashmë automatikisht rriten pagat, përveç kësaj, kjo del edhe nga metodologjia që e miratuam vitin e kaluar në pjesën e inflacionit dhe në pjesën e rritjes së pagës mesatare, që automatikisht duhet të rritet paga minimale, por nuk do të ndalemi këtu. Ne plotësisht jemi të përkushtuar në rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve tanë, kurse paralelisht me këtë, gjithsesi edhe rritjen e produktivitetit të të punësuarve në shtetin tonë.”, - u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Shkalla e inflacionit pritet të stabilizohet në vitin e ardhshëm dhe të arrijë në nivel prej 3,6%. Qeveria edhe vitin e ardhshëm mbetën më optimiste në aspekt të rritjes ekonomike prej 3,4% ndryshe nga projeksioni i Bankës Popullore, i cili paraqet rritje prej 3% dhe ai i Bankës botërore prej 2,5%. 
 
GAZMEND KURTISHI